
Kumbaro: Përmirësimi i rezultateve në PISA 2025, rezultat i reformave në arsim
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro deklaroi se rezultatet e Shqipërisë në testimin ndërkombëtar PISA 2025 tregojnë përmirësim të performancës së nxënësve.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro deklaroi se rezultatet e Shqipërisë në testimin ndërkombëtar PISA 2025 tregojnë përmirësim të performancës së nxënësve.
Në një intervistë televizive, Kumbaro u shpreh se këto rezultate duhet të shihen si një instrument për të identifikuar fushat ku sistemi arsimor duhet të përmirësohet.
Sipas Kumbaros, përmirësimi i rezultateve krahasuar me vitin 2022 lidhet me një sërë masash të ndërmarra në arsim, përfshirë rinovimin e kurrikulave, trajnimin e mësuesve, rishikimin e metodave të punës dhe investimet në infrastrukturën shkollore e laboratorë.
“Dhe në fakt kjo ka ndodhur nga viti 2022 deri në vitin 2025 dhe është rezultat i kësaj pune, i rinovimit të kurrikulave, i një programi shumë intensiv të trajnimit të mësuesve, i rishikimit të shumë metodave të punës dhe i investimeve të jashtëzakonshme që janë bërë në arsim, qoftë në infrastrukturë apo në laboratorë që na sollën një rezultat në ngritje shumë të rëndësishëm. Unë mendoj që e krahasojmë njëherë veten me veten tonë me rezultatet e mëparshme, por e krahasojmë edhe me të ngjashmit tanë në rajon. Pa folur këtu që në fakt kishte dhe shumë vende të tjera, qoftë edhe vende të Bashkimit Europian si Greqia, Rumania, Bullgaria që me pikë kishin dalë, kishin pasur rënie dhe kishin rënë edhe më poshtë sesa rezultati që morëm ne”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro, u ndal edhe në një tjetër çështje të diskutuar së fundmi, siç është edhe përdorimi i inteligjencës artificiale nga nxënësit. Kumbaro tha se kjo është një nga sfidat më të mëdha të arsimit bashkëkohor, duke theksuar nevojën për të gjetur një ekuilibër mes përdorimit të teknologjisë dhe zhvillimit të mendimit kritik.
“Kjo është arsyeja pse ne së fundmi, agjencia jonë për sigurinë e cilësisë në arsimin parauniversitar, sapo ka nxjerrë një udhëzim si një lloj manuali, si një kod etik për mësuesit se si mund të përdoret inteligjenca artificiale në procesin e mësimdhënies. E theksoj këtë se pashë që ka pasur disa keqinterpretime. Nuk ka asnjë vendim për të përdorur ChatGPT-në apo të tjera instrumente të inteligjencës artificiale. Duam apo s’duam ne, nxënësit kanë të gjithë një celular, kanë të gjithë tableta, mësuesit gjithashtu kanë, dhe njerëzit në të përditshmen e tyre, qoftë për arsye pune apo për qëllime të tjera, e përdorin inteligjencën artificiale. Por nëse ne këtë e lëmë pa kontroll dhe nuk vendosim rregullat etike, rregulla të metodologjisë se sa, si dhe me kë duhet ta përdorim, rrezikojmë dhe gabojmë”, vijoi ajo.
Ministrja Kumbaro theksoi ndërkohë se vijon procesi i reformimit të kurrikulave. Nga 14 shtatori, me nisjen e vitit të ri shkollor, kurrikulat e reja do të zbatohen në klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta, ndërsa procesi do të vijojë gradualisht edhe në klasat e tjera.
Sipas Kumbaros, gjatë vitit 2026 pritet të përfundojnë 40 projekte të reja, shkolla të rindërtuara ose të reja, ndërsa ka nisur puna për 40 projekte të tjera.
Një tjetër objektiv i përcaktuar është krijimi i 1000 laboratorëve inteligjentë në shkollat e vendit deri në fund të mandatit, si dhe pajisja e mësuesve të gjimnazeve me rreth 5500 laptopë.
Marrë nga ATSH



















