
Mbi 6 mijë vende të lira pune në portalin qeveritar për çdo nivel arsimor
Në një intervistë në medie, drejtorja e Shërbimeve të Tregut të Punës, Gertiola Çepani e cilësoi këtë ofertë si “një mal me mundësi” për të rinjtë dhe punëkërkuesit shqiptarë.

Në një periudhë kur tregu shqiptar i punës po përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive ka shpallur mbi 6 mijë vende të lira pune, të cilat janë të publikuara në portalin qeveritar puna.gov.al.
Këto vende pune i përkasin sektorëve të ndryshëm, duke përfshirë si pozicionet për profesionistët me arsim të lartë, ashtu edhe ato për individët me arsim të mesëm apo të ulët.
Në një intervistë në medie, drejtorja e Shërbimeve të Tregut të Punës, Gertiola Çepani e cilësoi këtë ofertë si “një mal me mundësi” për të rinjtë dhe punëkërkuesit shqiptarë.
Ajo theksoi se aktualisht nuk është më fjala për të zgjedhur “më të mirët”, por për të mbushur vendet bosh që gjithnjë e më shumë po kërkojnë të plotësohen në sektorë të ndryshëm, sidomos për shkak të sezonalitetit.
Sipas Çepanit, portali puna.gov.al është ndërtuar në mënyrë të tillë që t’u shërbejë të gjithë punëkërkuesve, duke i ofruar vendet e lira në përputhje me nivelin e arsimit dhe profesionin e tyre. Për shembull, për të diplomuarit ofrohen pozicione si ekonomistë, inxhinierë, drejtues, menaxherë dhe zhvillues softuerësh, ndërsa për ata me arsim të mesëm dhe të ulët ka kërkesa për kuzhinierë, ndihmëskuzhinierë, banakierë, recepsionistë, rrobaqepës, saldatorë dhe magazinierë.
Çdo punëkërkues që krijon një llogari në portalin “puna.gov.al” mund të aplikojë direkt për një pozicion pune. Sistemi i përpunimit është i automatizuar. Jetëshkrimi (CV-ja) i paraqitet menjëherë punëdhënësve përkatës, të cilët më pas nisin procesin e rekrutimit.
Për ata që kanë më pak aftësi digjitale, Zyrat e Punës ofrojnë asistencë të drejtpërdrejtë, intervista dhe këshillim nga specialistët, duke siguruar që askush të mos mbetet jashtë mundësive për punësim.
Çepani shtoi gjithashtu se përveç mundësive për punësim, Agjencia ofron edhe programe për zhvillimin e aftësive dhe integrimin më të mirë në tregun e punës. Një nga programet më të rëndësishëm është ai i praktikës 6-mujore të paguar, në institucione publike ose private, i krijuar për të sapodiplomuarit.
Për punëdhënësit, portali “paga.gov.al” dhe platforma “e-Albania” kanë thjeshtuar ndjeshëm procesin e shpalljes së vendeve të lira, ndërsa në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë, bizneset mund të përcaktojnë kriteret dhe kushtet e punës. Pagesa shpeshherë mbetet e negociueshme, por disa punëdhënës zgjedhin ta publikojnë paraprakisht.
Një tjetër aspekt pozitiv është hapja e portalit edhe për shtetasit e huaj që kanë leje qëndrimi në Shqipëri. Nëse kanë një kontratë pune të dakordësuar me një punëdhënës vendas, ata mund të aplikojnë përmes shërbimit të lejes unike, duke lehtësuar kështu punësimin e tyre ligjor në vend.
Aktualisht, rreth 50 mijë punëdhënës janë të regjistruar në sistem dhe vazhdojnë të përfitojnë nga programet mbështetëse të Agjencisë së Punësimit. Kjo situatë paraqet një mundësi reale për të gjithë ata që kërkojnë një punë të re apo dëshirojnë të ndryshojnë drejtimin profesional.
Burimi ATSH