
Gogu në Stamboll: Reforma në drejtësi na mësoi se besimi i qytetarëve fitohet me llogaridhënie e transparencë
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, mori pjesë në Samitin Ndërkombëtar të Drejtësisë në Stamboll.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, mori pjesë në Samitin Ndërkombëtar të Drejtësisë në Stamboll.
Gogu bëri me dije se gjatë dy ditëve të samitit, së bashku me kolegë nga më shumë se 70 vende të botës, folën për të ardhmen e drejtësisë, nga inteligjenca artificiale dhe krimi kibernetik, te migracioni dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor.
“Sfida që nuk njohin kufij dhe që mund t’i përballojmë vetëm së bashku”, theksoi Gogu.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e shkëmbimit të përvojave ndërkombëtare, duke ndarë me pjesëmarrësit përvojën e Shqipërisë me reformën në drejtësi.
“Ndava me krenari përvojën e Shqipërisë me reformën në drejtësi, një rrugë e vështirë, por që na mësoi se besimi i qytetarëve fitohet çdo ditë, me llogaridhënie dhe transparencë. Faleminderit Turqisë, mike e vërtetë e shqiptarëve, për mikpritjen e ngrohtë”, theksoi Gogu.
Gogu shtoi se “dialogu vazhdon, dhe vitin e ardhshëm bota e drejtësisë do të takohet në Tiranë, në Kongresin Botëror të Ligjit 2027″.



















