Meidani në Kuvend: Hekurudha Durrës-Prishtinë projekt strategjik, bashkëpunim më i madh në turizëm dhe kulturë

Kandidati për ambasador i Shqipërisë në Kosovë, Denion Meidani prezantoi sot para Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme vizionin e tij për të nxitur bashkëpunimin mes dy vendeve


Kandidati për ambasador i Shqipërisë në Kosovë, Denion Meidani prezantoi sot para Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme vizionin e tij për të nxitur bashkëpunimin mes dy vendeve, ndërsa theksoi se “Kosova është përparësi e politikës sonë të jashtme dhe mbi të gjitha një urë e përditshme dhe e fortë mes dy shteteve të një kombi”.

Meidani bëri një pasqyrim të prioriteteve të tij diplomatike në çdo fushë ndërsa u ndal te bashkëpunimi ekonomik, ku theksoi se Kosova është tregu i dytë për eksport shqiptare. Sipas tij, mbi 1600 biznese me kapital kosovar veprojnë sot në Shqipëri, ndërsa investimet e tyre në vendin tonë arritën në 550 milionë euro.

Po ashtu në fushën e sigurisë, Meidani theksoi se Forcat tona të Armatosura kanë 128 trupa në KFOR me katër kontigjente në Pejë. “Jemi pjesë e deklaratës trepalëshme për mbrojtjen me Kroacinë dhe kemi nisur bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes. Propozojnë një kompleks industrial të përbashkët ku bashkojmë burimet dhe ndajmë punën sipas përparësive krahasuese të secilit vend me certifikim sipas standardeve të NATO-s”, shtoi ai.

Ndërsa Shqipëria avancon në rrugën drejt anëtarësimit në BE, Meidani theksoi se “përvoja jonë drejt antarësimit duhet të bëhet përvojë e përbashkët”. “Çdo kapitull që mbyllim, çdo formë që zbatojmë dhe çdo mësim që nxjerrin duhet t’i shërbejë edhe Kosovës, sepse rruga jonë drejt Evropës merr kuptimin e plotë vetëm kur ecin krah për krah me të”, u shpreh ai.

Sipas tij, Shqipëria do të inkurajojë dialogun e bashkëpunimin mes gjithë forcave politike, sidomos për çështje me interes kombëtar dhe integrimin euroatlantik.

Po ashtu, Meidani renditi si një tjetër sfidë gjatë mandatit të tij edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së: Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Ai shprehu nevojën për më shumë projekte të përbashkëta me afate të qarta dhe rezultate që shqiptarët i shohin dhe i ndjejnë.

Ndaj, sipas tij, do të punohet për mbledhjet e përbashkëta të qeverive çdo vit. “Kur flasim njëzëri, pesha jonë në tryezën ndërkombëtare është më e madhe se shuma e dy vendeve tona. Prandaj propozojmë një grup të përbashkët pune të dy Ministrive të Jashtme me mandat të përhershëm që koordinon qëndrimet, demarshet dhe praninë tonë ndërkombëtare me një ndarje të qartë rolesh. Shqipëria do të vazhdojë të jetë zëri i Kosovës aty ku Kosova nuk ka ende ulëse në Bashkimin Europian, në NATO dhe në organizata ndërkombëtare”, theksoi ai.

Prioritet, sipas tij, do të ketë një hapësirë ekonomike pa pengesa. Në këtë drejtim, Meidani theksoi se hekurudha Durrës-Prishtinë mbetet projekt strategjik.

“Një lidhje që e kemi ëndërruar prej kohësh dhe që tani duhet ta shndërrojmë në plan. Hapi i parë ishte një studim i përbashkët brenda rrjetit europian të transportit. Tani mbetet të nxitojmë. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të sjellë rregulla të reja në kufirin tonë të përbashkët”, tha ai.

Mediani propozoi po ashtu konceptin e një strategjie të përbashkëta turistike me promovim të përbashkët të oferta të dedikuara për familjet nga Kosova. “Duhet investim i përbashkët te turizmi malor. Duhet të punojmë për një qendër ndërkufitare skish në zonën Shishtavec-Dragash me aeroportin e Kukësit si portë hyrëse. Së bashku mund të ofrojmë një sezon turistik që zgjat gjithë vitin”, shtoi ai.

Meidani u ndal edhe te bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe inovacionit, duke propozuar nisma për ekskursione të detyrueshme shkollore në Shqipëri dhe në Kosovë.

“Propozoj që në të dy anët e kufirit ekskursionet të bëhen të detyrueshme për çdo shkollë të mesme. Shqiptarët duhet ta njohin njëri-tjetrin, gjeografinë dhe historinë e tyre nga Vlora në Prekaz dhe nga Prizreni në Krujë. Kjo njohje u mungon sot shumë të rinjve shqiptarë dhe jo vetëm atyre”, shtoi ai.

Po ashtu Meidani propozoi realizimin e një filmi të ri për Skënderbeun, ndër projektet kulturore që synon promovimin e identitetit dhe të vlerave kombëtare.

“Kjo nismë do të krijojë punë dhe përvojë për industrinë tonë filmike që sot është e vogël në dyja vendet dhe mund të bëhet nisma e parë e një fondi të përbashkët kinematografik”, shtoi ai.

Meidani propozoi po ashtu edhe partneritete të reja mes universiteteve dhe Akademive të Shkencave të dy vendeve, si dhe një fond të përbashkët shëndetësor.

“Shqiptarët kanë ecur përpara sa herë që kanë qenë bashkë. Rruga drejt Bashkimit Europian është kapitulli i radhës i kësaj historie, ndoshta më i rëndësishmi për brezin tonë dhe këtë do ta shkruajmë bashkë”, u shpreh Meidani në përfundim të prezantimit të platformës së tij të kandidimit.

Burimi ATSH

Rama ndan videomesazhin: Jo kushdo që ecën pranë teje është i destinuar të ecë bashkë me ty

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video në rrjetet sociale të realizuar me inteligjencë artificiale ku përcillen mesazhe të forta…

Global 360

Presidentja Shiroka Pula nderon Adem Jasharin, Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin

Presidentja Shiroka Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Beretat jeshile zbarkojnë në Tiranë

Si sot 35 vjet më parë, më 1 tetor 1991, u rihap Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, një…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama ndan videomesazhin: Jo kushdo që ecën pranë teje është i destinuar të ecë bashkë me ty

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video në rrjetet sociale të realizuar me inteligjencë artificiale ku përcillen mesazhe të forta…