
Malaj: Më shumë alternativa për qytetarët nga modernizimi i sistemit financiar
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në Kuvend dy projektligje që lidhen me ndryshimet në ligjin “Për sistemin e pagesave” dhe në ligjin “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në Kuvend dy projektligje që lidhen me ndryshimet në ligjin “Për sistemin e pagesave” dhe në ligjin “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”, duke i cilësuar ato si hapa të rëndësishëm për modernizimin e sistemit financiar dhe përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij Malaj theksoi se ndryshimet vijnë në një kohë kur përdorimi i instrumenteve elektronike dhe pagesave digjitale është në rritje, duke kërkuar përshtatjen e kuadrit ligjor me zhvillimet e tregut dhe teknologjisë.
“Ndryshimet që propozojmë synojnë pikërisht vendosjen e rregullave më të qarta për ofruesit e shërbimeve, të rrisin sigurinë e transaksioneve, të krijojnë kushte më të barabarta për konkurrencën, por mbi të gjitha të kontribuojnë në uljen e kostove dhe përmirësimin e shërbimeve financiare për qytetarët dhe për bizneset”, deklaroi ai.
Sipas ministrit, projektligji “Për sistemin e pagesave” harmonizon kuadrin ligjor shqiptar me Direktivën Evropiane për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm, ose siç njihet ndryshe si PSD2.
Malaj theksoi se këto ndryshime përbëjnë gjithashtu një angazhim në kuadër të negociatave për Kapitullin 4, që lidhet me lëvizjen e lirë të kapitalit.
“Ndryshimet ligjore krijojnë kushte të barabarta për të gjithë ofruesit e shërbimeve të pagesave në mënyrë që të kenë akses në sistemet kombëtare të pagesave, gjë e cila i shërben konkurrencës dhe zhvillimit të këtij tregu”, tha Malaj.
Sipas tij, për qytetarët dhe bizneset kjo do të thotë më shumë alternativa për shërbimet financiare, cilësi më të lartë dhe përdorim më të gjerë të pagesave digjitale.
“Projektligji krijon gjithashtu bazat për zhvillimin e mëtejshëm të pagesave elektronike, nxitjen e përdorimit të instrumenteve më moderne, por edhe hyrjes në treg të aktorëve të rinj për ofrimin e këtyre shërbimeve. Në këtë mënyrë do të avancohet më tej për të krijuar një treg financiar më gjithëpërfshirës dhe me standarde ndërkombëtare”, nënvizoi Malaj.
Sa i përket ndryshimeve në ligjin “Për Bankat e Shqipërisë”, Malaj tha se ato synojnë krijimin e një kuadri ligjor më të qartë, koherent dhe të harmonizuar me kërkesat e Bashkimit Evropian.
“Përmes këtij projektligji ne synojmë të modernizojmë më tej kuadrin rregullator të sistemit financiar, të forcojmë efektivitetin e mbikëqyrjes si dhe të krijojmë më shumë siguri juridike”, u shpreh ministri.
Një nga çështjet kryesore që adreson projektligji është qartësimi i raportit ndërmjet veprimtarisë bankare dhe veprimtarisë së institucioneve të parasë elektronike, të njohura si institucione financiare jobanka.
Malaj theksoi se “me zhvillimin e shërbimeve të reja financiare dhe hyrjen e aktorëve të rinj në treg, është e nevojshme që kompetencat, aktivitetet dhe rregullat për secilën kategori institucionesh të përcaktohen qartë”.
“Kjo mënyrë synon shmangien e mbivendosjeve ndërmjet veprimtarisë bankare dhe veprimtarisë së institucioneve të parasë elektronike, duke krijuar kështu më shumë siguri juridike, por edhe duke bërë më efektive mbikëqyrjen e tregut financiar”, tha ai.
Ministri i Financave u shpreh se projektligjet synojnë krijimin e një tregu financiar më modern, konkurrues dhe të sigurt.
“Për qytetarët kjo do të thotë më shumë siguri për pagesat, kosto më të ulët, mbrojtje më të mirë për konsumatorët dhe më shumë alternativa për përdorimin e shërbimeve financiare”, deklaroi Malaj.
Ai ftoi deputetët të votojnë dy projektligjet, duke i cilësuar si një hap të mëtejshëm në përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe në përgatitjen e sistemit financiar për zhvillimin e ekonomisë digjitale.
Marrë nga ATSH


















