
Receta elektronike në shërbimin Onkologjik në QSUNT, lehtësi për pacientët në kimioterapi ka
Receta elektronike është tashmë funksionale edhe në shërbimin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

Receta elektronike është tashmë funksionale edhe në shërbimin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Mjeku onkolog, Dr. Sotiraq Senjo, shpjegon se përdorimi i sistemit të recetës elektronike të brendshme, pjesë e sistemit SIS, ka reduktuar kohën që mjekët shpenzonin për plotësimin e recetave, si dhe ka lehtësuar planifikimin e pacientëve që ndjekin cikle të rregullta trajtimi.
“Ky sistem na ka ndihmuar për të lehtësuar punën në shërbimin tonë onkologjik, duke ulur kohën që ne shpenzonim për të plotësuar recetat. Gjithashtu na lehtëson planifikimin e pacientëve, pasi kemi edhe pacientë që planifikohen një herë në tre muaj”, u shpreh Senjo.
Sipas Senjos, një nga ndryshimet kryesore është shmangia e lëvizjes së pacientëve nga një sportel në tjetrin, pasi receta plotësohet drejtpërdrejt nga mjeku.
“Ka ulur edhe kohën e pritjes së pacientëve nëpër sportele, pasi tashmë e bëjmë vetë mjeku dhe nuk ka nevojë pacienti të lëvizë nga një sportel në tjetrin”, tha ai.
Senjo shtoi se një tjetër përfitim lidhet me aksesin në kohë reale në informacionin për disponueshmërinë e medikamenteve. Mjekët mund të shohin online barnat që kanë në dispozicion, ndërsa ky informacion i mundëson edhe Drejtorisë së Farmacisë Qendrore të planifikojë më mirë furnizimin sipas nevojave të pacientëve të regjistruar për trajtim.
“Çdo gjë është transparente online dhe ne jemi të informuar në kohë reale për medikamentet që kemi në dispozicion. Gjithashtu, farmacia bën planifikim më të mirë duke ditur pacientët e planifikuar online nga ne”, shpjegoi ai.
Sistemi i ri shmang edhe përdorimin e blloqeve të recetave dhe dokumentacionit në letër, duke reduktuar kohën administrative për personelin mjekësor.
“Tashmë vetëm me dy-tre klikime plotësohet receta elektronike dhe është çdo gjë transparente. Mund t’i kthehet edhe kontrolli kur vjen pacienti, pasi mjeku shikon online çfarë ka përdorur pacienti”, tha Senjo.
Burimi ATSH



















