
Balla: Reforma territoriale do të votohet sot!
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot në Kuvend lidhur me kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, për heqjen nga rendi i ditës të reformës administrativo-territoriale.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot në Kuvend lidhur me kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, për heqjen nga rendi i ditës të reformës administrativo-territoriale.
Balla tha se për reformën administrativo-territoriale 2.0, mazhoranca ka marrë mbështetjen e qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e 11 majit 2025, pasi kjo reformë ishte pjesë e programit “Shqipëria 2030”.
“Ne e kemi marrë dakordësinë e qytetarëve shqiptarë më 11 maj 2025, sepse kjo pikë ka qenë pika e parë e programit tonë ‘Shqipëria 2030’. Dhe qytetarët shqiptarë na dhanë 83 mandate për ta çuar përpara këtë reformë”, tha Balla.
Ai theksoi se reforma do të diskutohet dhe votohet sot në Kuvend, ndërsa i bëri thirrje opozitës të pranojë propozimin për ngritjen e një komisioni të posaçëm që do të fokusohet te kompetencat e njësive të reja vendore.
“Ftesa ime për ju sot është që t’i përgjigjeni ofertës që jua thashë edhe një javë më parë. Ditën e enjte të javës së ardhshme të ngremë së bashku komisionin e posaçëm të reformës territoriale, tanimë jo për pjesën e ndarjes, por për pjesën e kompetencave”, u shpreh ai.
Balla tha se reforma është paraprirë nga një proces konsultimi me komunitetet dhe bashkitë, ndërsa theksoi se synimi i saj është përmirësimi i shërbimeve publike.
“Dallimi mes nesh dhe jush është se ju interesoheni për kryetarin e bashkisë, ne interesohemi për qytetarin, banorin e bashkisë”, deklaroi Balla.
Ai tha se qytetarëve të 46 bashkive të reja do t’u garantohen shërbime publike më të mira dhe se mazhoranca është e gatshme të transferojë te bashkitë kompetenca që aktualisht nuk ushtrohen në mënyrë efektive.
Lidhur me kërkesën për heqjen nga rendi i ditës të interpelancave, Balla e cilësoi atë si kontradiktore me qëndrimin e mëparshëm të opozitës.
“Sa i përket kërkesës tjetër për të hequr interpelancat, është për të qeshur. Këta që thonë ‘duam interpelanca’, sot thonë ‘s’duam’”, tha ai.
Balla iu referua edhe punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, mandati i të cilit përfundon në fund të nëntorit, duke vlerësuar punën e dy bashkëkryetarëve dhe anëtarëve të tij dhe duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të afateve në funksion të agjendës evropiane të vendit.
Kuvendi rrëzoi me 28 vota pro dhe 74 kundër, kërkesën e kreut të grupit parlamentar të PD për ndryshim në rendin e ditës.
Marrë nga ATSH


















