
Çano: Shqipëria përmbushi 38 hapa reformash, 215 milionë euro financim të lidhura me rezultatet
Drejtoresha e Përgjithshme e SASPAC dhe Koordinatorja Kombëtare për RGF, Eridana Çano, e bëri të ditur këtë gjatë Tirana Connectivity Forum 2026, në panelin “Readiness under Scrutiny: Reform and Growth Facility (RGF) and Institutional Preparedness for EU Performance-based Instruments”.

Shqipëria po forcon kapacitetet institucionale për një fazë të re të integrimit europian, ndërsa në kuadër të Facilitetit për Reforma dhe Rritje (RGF) ka vlerësuar të përmbushura 38 hapa reformash në paketën e tretë të raportimit, të lidhura me rreth 215 milionë euro financim.
Drejtoresha e Përgjithshme e SASPAC dhe Koordinatorja Kombëtare për RGF, Eridana Çano, e bëri të ditur këtë gjatë Tirana Connectivity Forum 2026, në panelin “Readiness under Scrutiny: Reform and Growth Facility (RGF) and Institutional Preparedness for EU Performance-based Instruments”.
Çano vuri në dukje se zbatimi i RGF gjatë dy viteve të fundit ka sjellë një ndryshim në qasjen ndaj reformave, duke e zhvendosur fokusin nga aktivitetet e realizuara te rezultatet konkrete, të matshme dhe të verifikueshme.
“Kalimi nga aktivitetet te rezultatet e matshme, evidenca, përgjegjësia institucionale dhe verifikimi i pavarur” është një nga ndryshimet kryesore të evidentuara gjatë zbatimit të instrumentit, sipas Çanos.
Në këtë kuadër, ajo theksoi rëndësinë e forcimit të gatishmërisë institucionale të Shqipërisë për instrumentet e ardhshme të Bashkimit Europian, ku financimi do të vijojë të lidhet ngushtë me performancën dhe rezultatet.
Sipas të dhënave të prezantuara në forum, disbursimet totale nga dy paketat e mëparshme të raportimit, së bashku me fondet e parafinancimit, kanë arritur në 212.8 milionë euro.
Në panelin e Tirana Connectivity Forum 2026 mori pjesë edhe Bojan Vujović, Koordinator Kombëtar për Axhendën e Reformave në Malin e Zi. Diskutimi u fokusua te përgatitja e institucioneve për instrumentet e BE-së të bazuara në performancë dhe te sfidat e zbatimit të reformave.
Për instrumentet e ardhshme europiane, Çano përcolli nevojën për më shumë koherencë, parashikueshmëri dhe fleksibilitet, ndërsa rezultatet dhe llogaridhënia mbeten elemente të panegociueshme.
Ky proces shihet si pjesë e përgatitjes së Shqipërisë për të përfituar më shumë nga instrumentet financiare të BE-së dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit europian.
/Marrë nga ATSH



















