
Nufi në takimin e ministrave të Mbrojtjes të Nismës Adriatiko-Joniane në Venecia
Ministrat e mbrojtjes të 6 vendeve bregdetare të Adriatikut dhe Jonit, Shqipëria, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia, diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përballë një mjedisi gjithnjë e më kompleks strategjik.

Ministrat e mbrojtjes të 6 vendeve bregdetare të Adriatikut dhe Jonit, Shqipëria, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia, diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përballë një mjedisi gjithnjë e më kompleks strategjik.
Gjatë takimit, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi theksoi rëndësinë e forcimit të kësaj nisme si një mekanizëm praktik për rritjen e koordinimit, bashkëpunimit dhe kapaciteteve të përbashkëta në hapësirën Adriatiko-Joniane, duke iu përgjigjur në mënyrë më efektive sfidave të reja të sigurisë dhe mbrojtjes.
Nufi u shpreh gjithashtu se, “Shqipëria mbështet vijimin e diskutimit për Nismën Kontinentale Evropiane për Mbrojtjen (CEDI), në kuadër të së cilës Evropa merr përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e saj, në mënyrë komplementare me NATO-n dhe duke ruajtur të fortë lidhjen transatlantike”.
Ai nënvizoi se, “ADRION dhe CEDI janë dy drejtime plotësuese: njëri përmes thellimit të bashkëpunimit praktik në Adriatik dhe Jon; ndërsa tjetri përmes forcimit të koordinimit politik e strategjik në Evropë.”
Në këtë drejtim, u shpreh Nufi, “vendi ynë mbetet i gatshëm të kontribuojë aktivisht për t’i kthyer ambiciet e përbashkëta në bashkëpunim, kapacitete dhe rezultate konkrete për sigurinë evropiane e më gjerë”.
Nisma Adriatiko-Joniane është një mekanizëm rajonal bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe sigurisë detare në hapësirën Adriatiko-Joniane.
ADRION fokusohet në rritjen e bashkëpunimit praktik, koordinimit, ndërveprueshmërisë dhe zhvillimit të kapaciteteve të përbashkëta ndërmjet vendeve pjesëmarrëse – Shqipëria, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia.
Burimi ATSH



















