
Petrela në itinerarin e turistëve të huaj: Njerëz mikpritës, ushqim i mirë
Vetëm 17 kilometra larg qendrës së Tiranës, në një lartësi prej rreth 400 metrash mbi nivelin e detit, Kalaja e Petrelës tërheq vëmendjen e turistëve të huaj që vizitojnë kryeqytetin, me natyrën e saj të paprekur dhe vlerat historike.

Vetëm 17 kilometra larg qendrës së Tiranës, në një lartësi prej rreth 400 metrash mbi nivelin e detit, Kalaja e Petrelës tërheq vëmendjen e turistëve të huaj që vizitojnë kryeqytetin, me natyrën e saj të paprekur dhe vlerat historike.
Rruga për të mbërritur deri në kala është lehtësisht e aksesueshme, duke e bërë vizitën të përshtatshme për të gjithë.
Sipas historianëve, kalaja është një ndërtim mesjetar që daton në shekullin VI pas Krishtit, gjatë sundimit të perandorit bizantin Justinian I, e cila ngrihet mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta.
Më pas, gjatë shekullit XV, Petrela ishte pjesë e sistemit mbrojtës të Krujës. Ajo njihet si kalaja që komandohej nga Mamica Kastrioti, motra e Skënderbeut.
Fundjavave, zona gjallërohet nga turistë të shumtë nga vende të ndryshme të Evropës dhe përtej saj, të cilët e përfshijnë Petrelën si pjesë e përvojës në vendin tonë.
Gjatë vizitës në kala, ndeshëm një grup turistësh të rinj në moshë, të cilët vinin nga Holanda.
“Këtu është shumë bukur, natyra fantastike dhe njerëzit miqësorë. Pamja është mahnitëse dhe vendi të krijon ndjesinë e qetësisë”, tha një prej tyre për ATSH.
Ciceroni i agjencisë turistike që shoqëronte turistët holandezë, tregoi për ATSH-në se interesi i vizitorëve të huaj ka ardhur gjithnjë e më shumë në rritje. Ai theksoi se përveç Kalasë së Petrelës, turistët që vizitojnë Tiranën, përfshijnë në programin e tyre edhe aktivitete të turizmit të aventurës, si ZipLine dhe destinacione natyrore, si “Shpella e Pëllumbasit” në fshatin Pëllumbas.
Mes vizitorëve që hasëm, ishin edhe dy të rinj italianë që banonin në Milano, të cilët po vizitonin për herë të parë vendin tonë. Chiara dhe Lorenzo u shprehën të kënaqur nga mikpritja e banorëve vendas dhe përvoja që po përjetonin, teksa premtuan se do të riktheheshin sërish, pse jo, për të shijuar plazhet piktoreske.
“Ne jemi nga Italia. Shqipëria është shumë e bukur, njerëzit janë shumë të sjellshëm. Natyra shumë e bukur. Ushqimi? Ushqimi shumë i mirë, edhe pse në Itali hahet mirë, ushqimi shumë i mirë. Njerëz supermiqësorë, çmimet ekonomike dhe me siguri do të rikthehemi”, u shprehën ata për ATSH-në.
Në të njëjtën kohë, nxënës të shkollave të kryeqytetit zhvilluan një vizitë edukative, ku u njohën nga afër me historinë e kalasë. Të shoqëruar nga mësuesit, ata u shprehën të emocionuar për njohuritë e marra.
Pas ngjitjes në kala, vizitorët ndalen për të shijuar pamjen që ofron zona, nga ku hapet një panoramë e gjerë mbi luginën e lumit Erzen dhe kodrat e gjelbëruara përreth. Kjo pozitë e favorshme gjeografike i jepte Kalasë së Petrelës një rëndësi të veçantë, pasi prej saj mund të shihej Kruja, si edhe sistemi i fortifikimeve mbrojtëse rreth Durrësit, pjesë e të cilit ishte edhe vetë Petrela. Kalaja kontrollonte degën Durrës-Tiranë-Elbasan të rrugës Egnatia, e cila për kohën kishte rëndësi të veçantë strategjike.
Zhvillimi i turizmit ndihet edhe në jetën e përditshme të banorëve të zonës. Pronarja e një kafeneje në qendër të fshatit Petrelë, tregoi për ATSH-në se numri i turistëve është rritur vitet e fundit.
“Vizitorët nuk vijnë vetëm për kalanë, por edhe për vendbanimin ilir të Persqopit dhe për varrin monumental”, tha ajo.
Udhëtimi nga qendra e fshatit Petrelë, deri te rrënojat e vendbanimit të lashtë ilir të Persqopit, zgjat rreth 20 minuta në këmbë, por është e aksesueshme edhe me makinë. Rruga ka tabela informuese që i orientojnë lehtësisht vizitorët. Disa të rinj nga Italia preferuan të lëvizin në zonë me motorë të vegjël, të cilët ofroheshin me qira nga banorët vendas.
Një prej banorëve tregoi për ATSH se fluksi i turistëve është rritur.
“Një pjesë e madhe vijnë për të udhëtuar me motorë dhe për shijuar natyrën dhe turizmin e aventurës”, tha ai, i cili po shoqëronte një grup të rinjsh nga Italia, të cilët kishin rezervuar për të udhëtuar me motorët me qira.
Qyteti antik i Persqopit është i lokalizuar në faqen e malit të Vilës, maja më e lartë e zinxhirit malor të Kërrabës (590 m). Sipas historianëve, duke iu referuar periodizimit të fortifikimeve të Ilirisë Jugore dhe Epirit, nga pikëpamja arkitektonike, Persqopi i përket gjysmës së dytë të shekullit IV pas Krishtit.
Fragmenti i vetëm i mbetur i murit fortifikues, më i larti i konservuar në Shqipëri, ka një gjatësi rreth 60 m dhe lartësi 7 m, me 10 rreshta gurësh. Përveç mureve antike, po sipas historianëve, në Persqop ruhen edhe gjurmë banesash, si dhe mbetje të një varri dhe një ujësjellësi që furnizohej me ujë nga mali Vilë.
Ndërkohë, duke njohur potencialin turistik të zonës, banorët kanë investuar në ndërtimin e bar-restoranteve dhe njësive akomoduese. Kjo ka sjellë rritje të të ardhurave dhe më shumë mundësi punësimi, duke nxitur edhe zhvillimin e agroturizmit. Një pjesë e banorëve janë rikthyer gjithashtu për të rindërtuar banesat e vjetra.
Në këtë mënyrë, Petrela po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të rëndësishëm turistik pranë Tiranës, ku historia, natyra dhe mikpritja e banorëve vendas, ofrojnë një përvojë të plotë për vizitorët.
Marrë nga ATSH


















