
Marrëdhëniet Kinë – Japoni rrezikohen nga veprimet e forcës së djathtë japoneze
Me ardhjen në pushtet të Sanae Takaichi si kryeministre në Japoni, pas Tetorit 2025, janë përshpejtuar ritmet e përforcimit dhe zgjerimit ushtarak.

Nga Prof. Dr. Enriko Ceko
Drejtor Ekzekutiv “Qendra Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm”
Me ardhjen në pushtet të Sanae Takaichi si kryeministre në Japoni, pas Tetorit 2025, janë përshpejtuar ritmet e përforcimit dhe zgjerimit ushtarak. Konkretisht, Japonia vendosi raketat e saj të para ofensive me rreze të gjatë veprimi, me të ashtuquajturën “aftësi kundërsulmi”, në prefekturat Kumamoto dhe Shizuoka dhe vetëm pak ditë më parë, Japonia arriti të nënshkruajë një marrëveshje 7 miliardë $ për furnizimin me anije luftarake me Australinë. Që nga heqja e ndalimit të eksportit të armëve në vitin 2014, ky transaksion është më i madhi i kësaj natyre.
Mesa duket ky është edhe një moment kur duket se Japonia kërkon që të bëjë një ndryshim të madh në politikën e eksportit të armëve, për të cilin, që nga viti 2014 e në vazhdim, Japonia ka reduktuar në mënyrë graduale kufizimet.
Nga ana tjetër, kjo përbën një largim të dukshëm të Japonisë nga angazhimet e saj historike dhe gjithashtu edhe një shmangie nga detyrimeve ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare që Japonia ka, për të mbajtur një qëndrim paqësor, detyrime që asaj i janë vënë menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes së kapitullimit, pas dështimit spektakolar të saj në Luftën e Dytë Botërore.
Këto ngjarje të kësaj natyre nuk mund të qëndrojnë pa u vënë re dhe pa u përcaktuar si sfida përballë rendit ndërkombëtar të pasluftës, aq më tepër kur në një mënyrë apo në një tjetër, lehtësisht, këto veprime mund të trajtohen edhe si shkelje të vazhdueshme të ligjit ndërkombëtar.
Duket sikur ka një paralele midis këtyre veprimeve dhe ardhjes në fuqi në Japoni të së djathtës, e djathtë e cila po merr karakteristika ekstreme, krahasuar me më parë.

Më 2 shtator të vitit 1945, përfaqësuesit japonezë nënshkruan dokumentin e dorëzimit./Foto nga VCG
Për shembull:
1. Rigjallërimi i militarizimit me çdo çmim (orientim i industrive me karakteristika civile drejt prodhimit të produkteve dhe shërbimeve me orientim militar).
2. Incidente të ndryshme të shkaktuara nga qytetarë japonezë, të cilët edhe të armatosur me armë të ftohta dhe edhe me armë të natyrave të tjera, kanë tentuar të krijojnë tensione, në të cilat janë bërë përpjekje për të përfshirë edhe Kinën dhe popullin kinez (pak ditë më parë, një qytetar japonez u fut me forcë në ambasadën e Kinës në Tokio, duke qenë i armatosur me armë të ftohtë, thikë).
3. Disa kohë më parë, kryeministrja japoneze deklaroi se goditja kundër Tajvanit do të përbëjë një “krizë që rrezikon mbijetesë për Japoninë”, duke abuzuar me marrëdhëniet midis Kinës dhe Tajvanit, për të ndërtuar një precedent dhe pretekst për të nxitur dhe për të filluar agresionet, njësoj si veproi në Azi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo shënon herën e parë që nga Lufta e Dytë Botërore, që një kryeministër japonez e lidh zyrtarisht çështjen e Tajvanit me të drejtën për vetëmbrojtje kolektive, duke shkelur plotësisht thelbin e parimit të Një Kine dhe duke ndërhyrë rëndë në punët e brendshme të Kinës. Takaichi refuzoi të tërhiqte deklaratën e saj, duke këmbëngulur se ajo “përputhej me qëndrimin e qeverisë”, një tentative e mëtejshme për të nxitur nacionalizmin e sëmurë dhe për të siguruar edhe më shumë mbështetje për forcën politike që ajo përfaqëson.
Padyshim, dhe është edhe shumë e kuptueshme se këto ngjarje të njëpasnjëshme, kanë shkaktuar shqetësime të shumta midis vendeve të rajonit, përfshirë edhe Kinën.

Foto nga gazeta japoneze Asahi Shimbun
Por nuk mjafton me kaq. Më 9 prill 2026, gazeta japoneze Asahi Shimbun, publikoi informacione për një hetim të zhvilluar në lidhje me atë se si Inteligjienca Artificiale po përdoret si një mjet për të prodhuar masivisht video të rreme anti-Kinë, konkretisht video fiktive të realizuara me IA, në të cilat imazhet fallco tregojnë se si “kinezët shkatërrojnë lulet e qershisë” (lule për të cilat dihet që qytetarët e ndershëm të Japonisë kanë një afeksion shumë të madh), apo video fallco ku shfaqet një student kinez “që përjashtohet nga shkolla sepse i rrëmbeu bastunin një të moshuari” (kur dihet respekti që kanë qytetarët e ndershëm të Japonisë për të moshuarit).
Nga mënyra se si janë ndërtuar dhe nga mënyra se si shfaqen në rrjetet sociale këto materiale propagandistike, keqinformuese dhe të pavërteta, duket fare qartë se ato nuk janë incidentale dhe aksidentale, por vijë nga një rrjet i organizuar, që mund të jetë edhe natyre komerciale dhe padyshim edhe natyrë kriminale.
Në këto raste, porositë për krijimin e këtyre videove vijnë nga platforma në të cilat për ata që prodhojnë video me anë të inteligjencës artificiale, vihen në dispozicion dhe sugjerohen edhe skenarët fiktivë sipas të cilave në video duhet të ketë “kinezë që shkelin rregullat dhe pas kësaj janë po ata kinezë që vuajnë pasojat”, një veprim i turpshëm, me qëllim dhe me paramendim aq më tepër me tendenca të qarta kriminale, sepse në këto platforma ofrohen madje edhe manuale të detajuara operimi dhe udhëzime të sakta se si mund të gjenerohen me anë të inteligjencës artificiale, video të plota për pak minuta.
Më e keqja është se në këto platforma manipulatorët e tyre shprehen fare hapur: “Punë për njerëz që e duan Japoninë dhe që nuk e pëlqejnë Kinën”. Kushdo që nuk e njeh Kinën dhe popullin e saj mund të kthehet në një “vegël qorre” dhe në një “ingranazh” të kësaj makine, pjesë e industrisë së propagandës keqdashëse kundër Kinës dhe kundër marrëdhënieve të mira Kinë – Japoni.
Fakti se ka një rritje në vazhdimësi të kësaj industrie të zezë nuk është çështje spontane, çështje platformash dhe çështje blogerësh. Duket se pas kësaj fryme të shfrenuar antisociale, antihumane, antipacifiste, raciste, keqdashëse dhe mashtruese qendron shumë më shumë se sa një a disa drejtues patologjikë të platformave të mediave sociale apo blogerë antisocialë e psikopatikë.
Duket se historia përsëritet. Përpara rreth 100 vitesh Japonia u përfshi në një histeri tërbimi sepse propaganda bëri punën e saj, por në fund dështimi i saj ishte i tmerrshëm. Tashmë kaosi i videove mashtruese anti – Kinë dhe kakofonia politike tip Ben Hill (aktor i famshëm britanik humori) nëse vazhdojnë me këtë histeri tërbimi nuk do bëjnë gjë tjetër veçse do e zhysin Japoninë në një kaos dhe izolim edhe më të madh, duke e shtyrë popullin e Japonisë në një greminë të pashmangshme, fati tragjik i përsëritjes së gabimeve të njëjta përgjatë historisë së një populli që drejtohet nga propaganda dhe jo nga e vërteta.
Në parim qeveritë vërtet të djathta në lidhje me fqinjët bazohen në disa parime që lidhen me:
1. Krijimin e marrëdhënie të mira, nëse ka interes të përbashkët.
2. Eliminimin e tensioneve, duke mos e venë theksin te nacionalizmi fallco.
3. Mbrojtje e interesave kombëtare, duke respektuar të drejtat territorial të fqinjëve dhe të të tjerëve.
Por mesa duket qeveria e Japonisë edhe pse pretendon të jetë e djathtë, në lidhje me parimet kryesore të së drejtës ndërkombëtare, duket se i është larguar bushtit ideologjik dhe filozofisë së djathtë, kështu që edhe marrëdhëniet Kinë – Japoni nuk mund të përcaktohen nga një qeveri që pretendon se është e djathtë, apo konservatore, por që në aspektin praktik ndërmerr veprime të një adoleshenti eklektik.
Dhe të tëra këto ecin paralel edhe me rishikimin që qeveria japoneze i bëri zyrtarisht ditët e fundit “Tre Parimeve mbi Transferimin e Pajisjeve dhe Teknologjisë së Mbrojtjes” dhe të udhëzimeve të zbatimit të tyre, duke lejuar në parim edhe eksportin e armëve vdekjeprurëse. Pas këtij rishikimi, Japonia ka hequr kufizimet e mëparshme që kufizonin eksportet e armëve në pesë kategori qëllimesh jo-luftarake dhe në parim lejon eksportin e armëve të gatshme, përfshirë ato vdekjeprurëse. Në rrethana specifike, ajo gjithashtu do të lejojë eksportet e armëve në vendet e përfshira në konflikte. Për më tepër, eksportet e armëve nuk do të kërkojnë miratim paraprak parlamentar. Në vend të kësaj, Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të marrë vendimet, me kushtin që mund të informojë vetëm pas miratimit.
Në lidhje me këtë çështje CGTN organizoi një anketë në të cilën 82.5% e të anketuarve thanë se lëvizja e “rimilitarizimit” të krahut të djathtë në Japoni është në thelb e njëjtë me logjikën ekspansioniste të militarizmit japonez para Luftës së Dytë Botërore dhe se kjo do ta çonte Japoninë përsëri në një situatë vërtet të rrezikshme.
Në anketë, gjithashtu, 86.2% e të anketuarve kritikuan qeverinë japoneze për shkelje serioze të dispozitave të Deklaratës së Kajros, Proklamatës së Potsdamit, Instrumentit Japonez të Dorëzimit dhe dokumenteve të tjera me fuqi ligjore ndërkombëtare, si dhe të vetë Kushtetutës së Japonisë dhe normave ekzistuese të brendshme.
Ndërkohë, 85.1% e të anketuarve theksuan se lëvizjet e fundit të rrezikshme të Japonisë drejt zgjerimit ushtarak, tregojnë se forcat e krahut të djathtë po i drejtojnë politikat e sigurisë drejt një drejtimi ofensiv dhe ekspansionist, duke paraqitur një kërcënim të ri real për sigurinë e rajonit të Azi-Paqësorit.
Po në këtë sondazh, 71% e të anketuarve deklaruan se plani i Japonisë për të siguruar anije luftarake në Australi, për t’u integruar në aleancën ushtarake “AUKUS” të udhëhequr nga SHBA, është në përgjigje të të ashtuquajturit “kërcënim nga Kina”, që në thelb synon të krijojë konfrontimin e bllokut në rajonin e Azi-Paqësorit.
Rreth 86.3% e të anketuarve thanë se Japonia po përshpejton shkëputjen e saj nga kufizimet institucionale të pasluftës, si dhe po shtyn për rimilitarizim, me militarizmin japonez që është ringjallur.
Në sondazh, 87.9% e të anketuarve deklaruan se Japonia, si një agresor i mundur në Luftën e Dytë Botërore, duhet t’i përmbahet Kushtetutës Pacifiste dhe normave ligjore ndërkombëtare, të mbështesë qëllimin përfundimtar të paqes, të përmbushë me zell detyrimet e saj ndërkombëtare dhe të respektojë shqetësimet e sigurisë së fqinjëve të saj aziatikë përmes veprimeve konkrete.
Rreth 86.8% e të anketuarve i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i rezistojë me vendosmëri trendit të rrezikshëm të “neo-militarizmit” të Japonisë, si dhe të mbrojë së bashku rezultatet fitimtare të Luftës së Dytë Botërore dhe rendin ndërkombëtar të pasluftës.
Anketa u publikua në platformat e CGTN në anglisht, spanjisht, frëngjisht, arabisht dhe rusisht, duke tërhequr 12.000 përdorues interneti për të votuar dhe shprehur pikëpamjet e tyre brenda 24 orëve.
Pra duket se tensionet e kohëve të fundit, deklaratat e nxituara dhe veprimet e gabuara të palës japoneze janë shenjë jo e mirë për paqen rajonale dhe kundër premtimeve të dhëna në Luftën e Dytë Botërore, duke mos anashkaluar edhe faktin se nën nxitjen e kësaj fryme, marrëdhëniet midis Kinës dhe Japonisë ndodhen në një nivel shumë të ulët.
Përballë kësaj gjendjeje, përgjatë ditëve të fundit, kanë qenë me dhjetëra mijëra qytetarë japonezë që të mbledhur rreth ndërtesës së Dietit të Japonisë (Parlamenti), kanë mbajtur tubime në shkallë të gjerë, për të shprehur kundërshtim të vendosur ndaj lëvizjeve të rrezikshme të administratës Takaichi si dhe për të protestuar kundër heqjes së ndalimit të eksportit të armëve, kundër rishikimit të Kushtetutës Pacifiste, etj.
Burimi CGTN



















