
Ibrahimaj: Do të avancojmë me politikën e rritjes së pagave
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot se vitet e fundit po nxitet një ekonomi që fokusohet në përthithjen e investimeve dhe eksporteve me vlerë të shtuar.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot se vitet e fundit po nxitet një ekonomi që fokusohet në përthithjen e investimeve dhe eksporteve me vlerë të shtuar.
Deklarata e ministres Ibrahimaj, erdhi gjatë vizitës në një kompleks industrial në Durrës, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiakja e qytetit bregdetar, Emiriana Sako.
Ibrahimaj tha se ky model biznesi është përfaqësues në atë që Qeveria synon të nxisë në të ardhmen.
“Ju përfaqësoni një lloj biznesi që merret me përpunimin dhe nxjerrjen e metaleve të çmuara, një sektor që krijon vlerë të shtuar, eksporton dhe rrit zinxhirin e vlerës në vende të ndryshme të botës. Ju prodhoni në Shqipëri dhe eksportoni në Evropë. Gjithashtu, bashkëpunoni me Japoninë dhe Korenë, duke qenë të përfshirë në të gjithë zinxhirët e vlerës dhe të ndërkombëtarizuar”, tha ajo.
Sipas Ibrahimajt, ekonomia shqiptare ka qenë e përqendruar kryesisht në sektorë si shërbimet dhe është nxitur nga konsumi. Por, ajo që po përpiqet të nxitet vitet e fundit është një ekonomi që fokusohet në përthithjen e investimeve dhe në eksportet me vlerë të shtuar.
“Në vitet e mëparshme, eksportet kanë qenë kryesisht të përpunimit aktiv dhe nuk kanë lënë vlerë të shtuar në vend. Ato kanë përfituar nga kostoja e ulët e fuqisë punëtore dhe kanë operuar me marzhe të vogla fitimi. Ajo që synojmë është të prodhojmë mallra dhe shërbime që kanë një nivel më të lartë përpunimi brenda vendit, në mënyrë që i gjithë zinxhiri i prodhimit të mbyllet në Shqipëri. Kjo do të gjenerojë të ardhura më të larta për vendin, paga më të mira dhe më shumë mirëqenie për të punësuarit në kompanitë shqiptare”, tha Ibrahimaj.
“Sektorët që eksportojnë aktualisht janë të përqendruar kryesisht në shërbime, rreth 80% e eksporteve janë shërbime dhe vetëm 20% mallra. Ne synojmë të fuqizojmë biznesin që të eksportojë më shumë mallra të përpunuara dhe që pagat që ofrohen nga bizneset të jenë më të larta”, theksoi ajo.
Ministrja Ibrahimaj tha se Qeveria shqiptare e ka rritur pagën minimale në mënyrë të vazhdueshme. Nga 1 janari i këtij viti, paga minimale është rritur nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë, si një instrument, sipas Ibrahimajt, për të garantuar që rritja ekonomike të reflektohet edhe në paga.
“Ndërkohë, edhe pagat në sektorin shtetëror janë rritur vit pas viti. Para dy vitesh u realizua një rritje e ndjeshme, që në disa nivele arriti deri në 50–60%, me qëllim që edhe sektori privat të ndiqte këtë trend. Kemi vërejtur se sektorë si ndërtimi, i cili ka pasur një ecuri shumë të mirë ekonomike, me rritje të lejeve të ndërtimit dhe kontributeve, vijon të ketë paga nën mesataren. Pagat në këtë sektor variojnë deri në 85 mijë lekë, ndërkohë që në biznese si ky që përmendim, paga minimale është rreth 700 euro dhe maksimalja arrin deri në 1500 euro”, theksoi ajo.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit shtoi se ky model biznesi në Durrës gjeneron jo vetëm më shumë të ardhura për kompaninë, por edhe për punonjësit, duke u ofruar atyre specializim dhe zhvillim profesional.
“Ne kemi kërkuar që shkollat profesionale të fuqizohen dhe të lidhen më ngushtë me biznesin, në mënyrë që ato të përgatisin të punësuar me aftësi të gatshme për tregun e punës. Aktualisht, paga mesatare në sektorin shtetëror është mbi 1000 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 900 euro. Përmes fuqizimit të bizneseve të tilla, ne synojmë të avancojmë më tej politikën e rritjes së pagave”, përfundoi Ibrahimaj.
Marrë nga ATSH


















