
Rama: Kush mendon që gjunjëzon shtetin bën kalkulimin e gabuar
Kryeministri Edi Rama tha sot se brenda pak orësh ose ditësh qeveria do të prezantojë qëndrimin e saj lidhur me shqetësimet reale të qytetarëve në protestë.

Kryeministri Edi Rama tha sot se brenda pak orësh ose ditësh qeveria do të prezantojë qëndrimin e saj lidhur me shqetësimet reale të qytetarëve në protestë.
Gjatë një deklarate për mediet së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, Rama theksoi se kërkesat dhe arsyet që kanë nxitur një pjesë të shoqërisë të mbështesë protestën janë në fokusin e tij dhe të qeverisë, duke shprehur gatishmërinë për dialog me protestuesit për të dëgjuar propozimet dhe idetë e tyre mbi mënyrat e adresimit të këtyre problematikave.
“Edhe një herë tjetër për ta përmbyllur; protesta, qëllimet, arsyet dhe mbi të gjitha nevoja e asaj pjese të shoqërisë që ka nevojë për një qasje më agresive të qeverisë ndaj shtrenjtimit të kostove të jetesës dhe ndaj problematikave që lidhen me meritën në promovimin e burimeve njerëzore, e kështu me radhë, janë fokusi absolut i imi dhe i qeverisë dhe do të ishte ende më mirë që të kishim një dialog me ata, të cilët duan t’i artikulojnë këto nevoja dhe duan t’i artikulojnë dhe idetë e tyre, për se si mund të adresohen këto nevoja. Gjithsesi ne, çështje orësh, ditësh do të prezantojmë atë që është reflektimi ynë i përgjithshëm mbi këtë që po përpiqet të na thotë një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë thjesht e vetëm, duke simpatizuar një protestë, tek e cila sheh nevojën dhe sheh mënyrën se si ta bëjë qeverinë ende më të vëmendshme”, tha Rama.
Kreu i Ekzekutivit tha se ata që nxisin, përhapin apo ushtrojnë dhunë, të përballen me pasoja penale dhe financiare.
“Ndërkohë që, të gjithë ata, të cilët himnizojnë dhunën, të gjithë ata, të cilët i bëjnë jehonë dhunës, të gjithë ata, të cilët ushtrojnë dhunën, duhet të kuptojnë se aq sa ishte intensiv dhe i përqendruar dhe i zgjatur terrori urban, terrori mbi popullsinë e Shqipërisë, terrori mbi bizneset dhe mbi familjet e zakonshme, aq do të jetë e zgjatur dhe këmbëngulëse, ajo që vjen nga ana e shtetit. Kush mendon se gjunjëzon shtetin, bën kalkulimin më të gabuar dhe kush mendon se duke u fshehur nën maskën e studentit apo duke shfrytëzuar simpatinë natyrale të shoqërisë për figurën e studentëve mund të sjellë këtu terrorin urban të ANTIFA-s, mund të bëjë këtu punën e atyre që e duan Shqipërinë të përçarë nga ana fetare, e duan Shqipërinë të ndarë nga historia e saj e lavdishme e tolerancës, e harmonisë dhe e mirëkuptimit, duhet ta ketë të qartë që, jo vetëm nuk do t’ia dalë, por do të paguajë, do të paguajë në një sërë formash që nga ajo penalja për ushtruesit e drejtpërdrejtë të dhunës tek ajo financiarja për hymnizuesit dhe për propaganduesit e saj”, deklaroi Kryeministri Rama.
Marrë nga ATSH

















