
Shiroka-Pula me thirrje për shqiptarët e Luginës: Bashkë në listë dhe bashkë në votim
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që jetojnë në Kosovë, të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Serbi, të cilat mbahen të dielën, më 25 tetor.

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që jetojnë në Kosovë, të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Serbi, të cilat mbahen të dielën, më 25 tetor.
Në mesazhin e saj, presidentja ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në votim për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
“Ju ftoj që nesër, më 25 tetor, të merrni pjesë sa më masivisht në zgjedhjet parlamentare të parakohshme. Shfrytëzojeni të drejtën tuaj demokratike të votës për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve”, ka deklaruar Shiroka-Pula.
Ajo ka vlerësuar se bashkimi politik është thelbësor për fuqizimin e përfaqësimit të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.
“Bashkimi është çelësi i përfaqësimit më të fuqishëm politik. Prandaj, bashkë në listë dhe bashkë në votim. Për më shumë deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë. Për një zë më të fuqishëm në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe interesave të shqiptarëve”, ka theksuar presidentja.
Shiroka-Pula ka shtuar se çdo votë ka rëndësi dhe se pjesëmarrja në zgjedhje kontribuon në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Të bashkuar në përfaqësim, më të fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave tuaja!”, ka përfunduar ajo. /KosovaPress/



















