
Rama: Së shpejti publikojmë masat në dy drejtime, adresimin e çështjeve socio-ekonomike dhe garantimin e sigurisë publike
Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është e gatshme të dëgjojë kërkesat e protestuesve dhe të dialogojë për problematikat e ngritura, duke theksuar se protesta është një e drejtë demokratike, ndërsa dhuna është e dënueshme.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është e gatshme të dëgjojë kërkesat e protestuesve dhe të dialogojë për problematikat e ngritura, duke theksuar se protesta është një e drejtë demokratike, ndërsa dhuna është e dënueshme.
Në një adresim nga Kryeministria, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme Ervin Demo, Rama tregoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me një pedagog të Fakultetit të Mjekësisë, i cili kishte ngritur shqetësime që lidhen me problematika konkrete në spitalin universitar.
“Një protestë bëhet për t’u dëgjuar. Njeriu proteston kur ka ndjesinë që nuk po e dëgjon kush për atë që ai sheh të nevojshme. Pra, një protestë bëhet për t’u ulur në tryezë, një protestë nuk bëhet për të përmbysur qeverinë apo për të përmbysur shumicën qeverisëse me dhunë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se, kur bëhet fjalë për një protestë të një segmenti qytetar dhe jo të një partie politike, qëllimi duhet të jetë dialogu për zgjidhjen e shqetësimeve.
“Arsyet që më tha ishin të gjitha që lidheshin me gjëra specifike në spitalin universitar. Krejt legjitime dhe prandaj thashë ulemi diskutojmë se si mund t’i çojmë përpara”, deklaroi Rama, duke iu referuar bisedës me pedagogun.
Ai tha se gatishmëria e autoriteteve për të dëgjuar dhe për të dialoguar duhet të shërbejë si bazë për adresimin e kërkesave, ndërsa e drejta për të protestuar nuk mund të përdoret si justifikim për cenimin e të drejtave të të tjerëve.
“Çdo protestë për t’u dëgjuar bëhet problem kur qeveria, kur autoritetet nuk duan të dëgjojnë. Ndërsa, kur qeveria dhe autoritetet thonë ‘jemi këtu, jemi gati t’ju dëgjojmë, të dialogojmë, të kuptohemi’, atëherë këmbëngulja në protestë është pa sens, nëse është ky qëllimi i saj. Ndërsa, liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme, dhuna është një krim i ndëshkueshëm”, u shpreh ai.
Rama bëri të ditur se Qeveria po punon në dy drejtime, përkatësisht për të adresuar nevojat sociale dhe ekonomike të qytetarëve dhe për të garantuar rendin e sigurinë publike.
Ai paralajmëroi se së shpejti do të bëhen të ditura masa për mbështetjen e qytetarëve përballë rritjes së kostos së jetesës, si dhe për krijimin e më shumë mundësive në fushën e strehimit dhe rishpërndarjes sociale.
“Në anën e asaj pjese padiskutim të respektueshme dhe të respektuar të shoqërisë që kërkon më shumë mbështetje, më shumë meritë në shkallën e promovimit të aftësive, kërkon më shumë mundësi për t’u strehuar pa iu marrë fryma nga kostoja e strehimit në Tiranë, që kërkon më shumë rishpërndarje dhe barazi sociale, ne jemi të fokusuar dhe së shpejti do të bëjmë me dije masat që do të marrim”, tha ai.
Në lidhje me garantimin e sigurisë, Rama njoftoi se Qeveria po përgatit propozime dhe masa konkrete, duke iu referuar edhe praktikave të ndjekura në Itali dhe Francë.
“Në anën e sigurisë, në anën e garantimit të të gjitha lirive dhe të drejtave, ne në bashkëpunim me partnerët tanë dhe duke parë hapat që ata hodhën në Itali dhe në Francë, do të dalim shumë shpejt me propozime dhe me masa shumë konkrete”, përfundoi Rama.
Marrë nga ATSH



















