
Rama: Po punojmë intensivisht për adresimin e problemeve që nxisin protestat
Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria po punon intensivisht për të adresuar problematikat që kanë nxitur protestat e ditëve të fundit

Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria po punon intensivisht për të adresuar problematikat që kanë nxitur protestat e ditëve të fundit, duke theksuar se e drejta për të protestuar duhet të garantohet, por nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën.
Gjatë një komunikimi për mediat, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, Rama tha se është i vëmendshëm ndaj arsyeve që i shtyjnë qytetarët të mbështesin protestat, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Rama u ndal gjithashtu tek disa grupe se janë përfshirë në protestë me qëllimin për të ushtruar dhunë.
“Duhet të bëj shumë të qartë njëkohësisht edhe faktin se ne jemi duke punuar intensivisht me orë të zgjatura për të adresuar të dyja anët e kësaj medaljeje. Do të bëj të qartë që jemi shumë të vëmendshëm dhe jam shumë i vëmendshëm personalisht në raport me arsyet reale dhe me shkaqet që bëjnë shumë kënd, përtej faktit që votojnë apo s’votojnë për mua dhe për shumicën qeverisëse, të simpatizojnë një protestë dhe të ndjejnë nevojën për të protestuar, pavarësisht se janë të distancuar nga dhuna për sa kohë ajo protestë, ai terror urban u shkaktua jo nga dhjetëra mijëra e qindra mijëra qytetarë, por nga një masë e larmishme njerëzish të radikalizuar ideologjikisht (Antifa), të radikalizuar fetarisht, njerëz të nxitur dhe të paguar për të ushtruar ndasinë fetare, të radikalizuar qytetarisht, njerëz me precedent penal, kriminal, të futur në turmë, të maskuar si studentë, për të ushtruar dhunë”, theksoi Rama.
Rama nënvizoi se protesta është një e drejtë themelore në një shtet demokratik, teksa shtoi se rruga e protestës paqësore është rruga që çon tek dialogu.
“Protesta është një e drejtë që askush nuk mund ta mohojë. Liria për të protestuar është një e drejtë që askush nuk mund ta diskutojë dhe që çdo shtet demokratik duhet ta garantojë. Dhe rruga e protestës paqësore është rruga që çon tek dialogu”, tha Rama.
Burimi ATSH



















