
Posta Shqiptare së shpejti edhe me shpërndarjen e porosive online, Karakaçi: Shërbimet vazhdojnë
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, inspektuan Postën Nr. 5 në Tiranë, e cila shërben si zyra kryesore postare e kryeqytetit dhe qendër për shpërndarjen e letrave dhe pakove

Posta Shqiptare po zgjeron gamën e shërbimeve për qytetarët, ndërsa së shpejti pritet të nisë edhe shpërndarja e pakove nga tregtia elektronike, kryesisht ato që vijnë nga Kina.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, inspektuan Postën Nr. 5 në Tiranë, e cila shërben si zyra kryesore postare e kryeqytetit dhe qendër për shpërndarjen e letrave dhe pakove.
Gjatë vizitës, Xhafaj bëri të ditur se institucioni ofron aktualisht 61 shërbime, nga të cilat 19 janë postare dhe 42 financiare. Ndërkohë, po punohet për shtimin e shërbimeve të reja, përfshirë shitjen e policave të sigurimit dhe shpërndarjen e pakove nga tregtia elektronike.
“Posta ka për momentin 61 shërbime, nga të cilat 19 janë postare, 42 janë shërbime financiare. Ne jemi duke shtuar edhe dy-tre shërbime të tjera, të cilat nuk i kemi pasur më përpara. Kemi shtuar shërbimin e shitjes së policave të sigurimeve, të cilat fillojnë tani. Shumë shpejt firmosim edhe kontratat me shpërndarjen e tregtisë elektronike, pra pakove, që vijnë kryesisht nga Kina”, u shpreh Xhafaj.
Në këtë pikë postare janë të punësuar 48 persona, ndërsa ofrohen shërbime postare dhe financiare, përfshirë pagesat e faturave të ujit dhe energjisë elektrike, gjobave dhe detyrimeve të tjera, si edhe shërbime që lidhen me Kadastrën.
Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare informoi gjithashtu ministrin për ambientet e rinovuara të zyrës së filatelisë, ku realizohen emetimet e pullave të reja postare. Për vitin 2026, Posta Shqiptare ka parashikuar 12 emetime të reja pullash, dy prej të cilave në bashkëpunim me postat e Vatikanit dhe Italisë.
Gjatë vizitës, Karakaçi falënderoi punonjëset e kësaj qendre për përkushtimin dhe vijimin normal të punës edhe gjatë ditëve të fundit, të shoqëruara me protesta në kryeqytet.
“Posta Shqiptare hyn ndër ato institucionet më të konsoliduara dhe më të vjetra shqiptare. Është shumë e rëndësishme të jepet mesazhi që shërbimet vazhdojnë, nuk ndalohen. Patjetër që ne kemi qenë të hapur dhe vazhdojmë të jemi të hapur në çdo ditë edhe me oraret e përcaktuara. Jemi përsëri këtu për dhënien e të gjitha shërbimeve, marrjen e pensioneve, pagesave të faturave, pagesave të gjobave, apo çdo element tjetër”, u shpreh ministri.
Posta Shqiptare vijon të ofrojë shërbime edhe gjatë fundjavës, të shtunën dhe të dielën, duke garantuar vijimësinë e shërbimeve postare dhe financiare për qytetarët.
Burimi ATSH



















