
Shqipëria mirëpret për herë të parë ARLEM-in, Bufi: Mundësi të reja për bashkitë në rrugën drejt BE-së
Shqipëria do të mirëpresë për herë të parë Asamblenë Rajonale dhe Lokale Euro-Mesdhetare (ARLEM), një forum që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve vendore dhe rajonale të vendeve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të Mesdheut Jugor.

Shqipëria do të mirëpresë për herë të parë Asamblenë Rajonale dhe Lokale Euro-Mesdhetare (ARLEM), një forum që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve vendore dhe rajonale të vendeve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të Mesdheut Jugor.
Për tri ditë, mbi 80 përfaqësues të autoriteteve vendore dhe rajonale do të diskutojnë mbi sfidat e përbashkëta, me fokus te ndryshimet klimatike, të rinjtë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajonin Euro-Mesdhetar.
E ftuar në A2 CNN, kryetarja e bashkisë së Roskovecit dhe anëtare e bordit të ARLEM-it, Majlinda Bufi, vlerësoi rëndësinë e zhvillimit të këtij aktiviteti në Shqipëri, duke e konsideruar një mundësi për bashkitë shqiptare që të krijojnë partneritete të reja dhe të përfitojnë nga përvojat e vendeve evropiane.
“Midis gjithë vendeve që ne jemi pjesë në këtë platformë, ne kemi mundësi që të krijojmë partneritete me njëri-tjetrin. Ka shumë iniciativa, projekte të cilat ARLEM-i i ndërmerr dhe pa dyshim është një lloj lehtësie që ne na bëhet për të mundësuar sa më shumë aksesimin në të gjitha këto projekte”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se organizimi i asamblesë në Shqipëri vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit evropian, duke krijuar mundësi shtesë për pushtetin vendor që të përmbushë detyrimet dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian.
Sipas saj, ky aktivitet mund t’u shërbejë bashkive shqiptare për të zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar, për të pasur më shumë informacion mbi mundësitë e financimit dhe për të rritur kapacitetet profesionale të administratave vendore.
“Kjo është një mundësi për pushtetin lokal, për bashkitë në territor, që të kenë mundësi të reja dhe një dritare më shumë për informacion. Do të jenë të pranishëm një pjesë e mirë e kryetarëve të bashkive të Shqipërisë për të parë këto mundësi, për të dëgjuar dhe për të krijuar pse jo hapësira të reja për secilin nga kryetarët e bashkive”, u shpreh Bufi.
Duke iu referuar Paktit për Mesdheun, Bufi nënvizoi rëndësinë e tri shtyllave kryesore që lidhen me klimën, njerëzit dhe territorin, tema që pritet të jenë pjesë e diskutimeve të forumit.
Një pjesë e aktiviteteve ditën e tretë do të zhvillohet edhe në Roskovec, ku pritet të mbërrijnë përfaqësues të bashkive nga vendet e Mesdheut dhe të Bashkimit Evropian, përfshirë Francën, Spanjën dhe Italinë.
Burimi ATSH



















