
Rama: Pas personave të përfshirë në dhunë qëndrojnë krimi i organizuar dhe faktorë të huaj
Kryeministri Edi Rama tha sot se dhuna e shfaqur gjatë protestave synon destabilizimin e vendit dhe devijimin e rrugës së tij europiane.

Kryeministri Edi Rama tha sot se dhuna e shfaqur gjatë protestave synon destabilizimin e vendit dhe devijimin e rrugës së tij europiane.
Në një deklaratë për mediat së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, Rama tha se po hetohen lidhjet e mundshme të personave të përfshirë në akte dhune me krimin e organizuar dhe faktorë të huaj.
“Jam sot këtu me ministrin e Brendshëm, i cili dje ishte në një vizitë për të ndarë së bashku me përfaqësues të tjerë të vendeve evropiane eksperiencën dhe njëkohësisht edhe për të koordinuar më tej punën me homologët në Itali dhe në Francë pasi së bashku me të dyja këto vende jemi në kontakt të vazhdueshëm, duke qenë se njëkohësisht në të treja vendet tona flama e terrorit urban të Antifa-s është shfaqur me forcën e vet të verbër. E ne ndërkohë ne kemi edhe një sërë me specifika të cilat i ndjekim me shumë kujdes”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se “dje unë iu informova për një listë të gjatë personash me precedent kriminal, të cilët nën maskën e studentit, po pa asnjë lidhje me statusin e studentit, me lëvizjen imagjinare studentore, ushtruan dhunë dhe janë ndaluar dhe proceduar nga Policia e Shtetit”.
Sipas kryeministrit, kjo kategori përfaqëson një komponent të dhunshëm të protestave, i cili synon të destabilizojë vendin dhe ta kthejë Shqipërinë pas në zhvillimin e saj.
“Një listë domethënëse, përfaqësuese e një komponenti të dhunshëm protestës që është integruar në këtë masë të larmishme personash me një qëllim shumë të qartë: destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës sonë duke na kthyer mbrapsht në të shkuarën. Natyrisht që pas atyre personave qëndrojnë krimi i organizuar, si dhe duar të huaja për të cilat vazhdojmë të hetojmë intensivisht”, tha ai.
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek mediet, ku theksoi se relativizuan dhunën në emër të studentëve dhe rinisë.
“Por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte përsëri reagimi i ekraneve të korruptuara ndaj një liste e cila minimalisht duhet t’i bënte të gjithë të reflektonin mbi mos distancimin nga dhuna. Dhe relativizimi i mëtejshëm i dhunës gjithnjë në emër të studentëve, në emër të rinisë, që sipas këtyre ekraneve dhe sipas sidomos VIP-ave të mbrëmjeve të hyjnizimit të dhunës nëpër këto ekrane i përkasin një momenti transformues për Shqipërinë”, tha ai.
Rama shtoi se problematikat e shoqërisë, familjeve dhe të rinjve janë legjitime dhe kërkojnë zgjidhje, por sipas tij, ato nuk mund të shërbejnë si justifikim për përdorimin e dhunës.
Sipas tij gjuha e gurit nuk mun të fitojë status qytetarie nëse duam një të ardhme të sigurt për fëmijët në këtë vend.
“Këtu në fakt nuk ka asnjë moment tjetër transformues përveçse një sfidë e hapur me probleme të cilat kërkojnë adresim pa diskutim, probleme të shoqërisë, probleme të familjeve të zakonshme, probleme të studentëve, probleme të rinisë, të tëra legjitime dhe dhunës.
“Gjuhës së gurit, gjuhës së hurit, gjuhës së zjarrit, gjuhës së urrejtjes, gjuhës së ofendimeve e kërcënimeve, e cila nuk mund të fitojë një status qytetarie nëse ne duam një të nesërme të sigurt për këtë vend dhe për fëmijët tanë”, tha Rama.
Marrë nga ATSH


















