
Sejko: Ekonomia rritet me rreth 4%, prioritet rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, vlerësoi se ekonomia shqiptare ka ruajtur ritme të qëndrueshme rritjeje prej rreth 4%, pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme të viteve të fundit, ndërsa theksoi nevojën për orientimin e modelit ekonomik drejt produktivitetit, inovacionit dhe rritjes së konkurrueshmërisë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, vlerësoi se ekonomia shqiptare ka ruajtur ritme të qëndrueshme rritjeje prej rreth 4%, pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme të viteve të fundit, ndërsa theksoi nevojën për orientimin e modelit ekonomik drejt produktivitetit, inovacionit dhe rritjes së konkurrueshmërisë.
Gjatë pjesëmarrjes në konferencën kushtuar analizës së 200 kompanive më të mëdha në vend për vitin 2025, Sejko u ndal në zhvillimet ekonomike, financimin e biznesit dhe prioritetet e politikave ekonomike në kuadër të integrimit evropian.
Guvernatori theksoi se krahas rritjes ekonomike, inflacioni ka qëndruar pranë objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë, ndërsa punësimi dhe pagat kanë shënuar rritje dhe stabiliteti financiar është konsoliduar.
Një tregues pozitiv, sipas tij, është edhe afrimi i të ardhurave për frymë me mesataren e Bashkimit Evropian. Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë, i matur sipas paritetit të fuqisë blerëse, është rritur nga 32% në 43% të mesatares së BE-së gjatë katër viteve të fundit. Megjithatë, Sejko nënvizoi se performanca e sektorëve ekonomikë mbetet e ndryshme. Ndërsa shërbimet dhe turizmi kanë mbështetur rritjen, industria dhe bujqësia janë përballur me më shumë vështirësi, për shkak të kostove në rritje, mungesës së fuqisë punëtore dhe presioneve mbi konkurrueshmërinë.
Në këtë drejtim, ai evidentoi si prioritete investimet në teknologji, zhvillimin e aftësive profesionale të punonjësve, përmirësimin e klimës së biznesit dhe reduktimin e informalitetit. “Integrimi evropian krijon mundësi për zgjerimin e tregjeve, tërheqjen e investimeve dhe përfshirjen e kompanive shqiptare në zinxhirët evropianë të prodhimit dhe furnizimit”, tha ai.
Guvernatori theksoi se financimi bankar duhet të orientohet gjithnjë e më shumë drejt investimeve që nxisin prodhimin, inovacionin, eksportet dhe krijimin e vlerës së shtuar. Për këtë, sipas tij, nevojiten produkte financiare të përshtatshme për investime afatgjata, më shumë transparencë financiare dhe formalizim i bizneseve.Në kuadër të modernizimit të sistemit financiar, Sejko përmendi gjithashtu integrimin në SEPA dhe TIPS Clone, si zhvillime që lehtësojnë transaksionet dhe ulin kostot për qytetarët dhe bizneset.
Sa u përket prioriteteve për të ardhmen, ai vuri theksin te ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar, qëndrueshmëria e financave publike dhe përshpejtimi i reformave strukturore. Gjithashtu, nënvizoi rëndësinë e uljes graduale të borxhit publik dhe orientimit të investimeve publike drejt infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë dhe teknologjisë, si sektorë që forcojnë potencialin afatgjatë të ekonomisë.
Në përfundim të konferencës, Guvernatori Sejko iu përgjigj interesit të pjesëmarrësve për çështjet e diskutuara gjatë panelit.
Burimi ATSH


















