Begaj: Siguria nuk garantohet e vetme, forcimi i bashkëpunimit rajonal është domosdoshmëri

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë sot në Konferencën e Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI).


Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë sot në Konferencën e Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI).

Në këtë takim morën pjesë vendet anëtare, si: Italia, Austria, Kroacia, Hungaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Sllovenia. Këtë vit Shqipëria ishte vend organizator dhe bashkëdrejtuese e nismës me shtetin italian.

Gjithashtu, në konferencë ishin të ftuar edhe Komanda e Bashkuar e NATO-s në Napoli, Komandanti i misionit të KFOR-it, Komandanti i misionit EUFOR-it në Bosnjë dhe Hercegovinë, e të tjerë.

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Begaj bëri apel për forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe politik mes partnerëve të kësaj iniciative.

“Kërcënimet tradicionale bashkëjetojnë me rreziqe të reja: sulmet kibernetike, ndërhyrjet hibride, dezinformimin dhe cenimin e infrastrukturës kritike. Në këto kushte, për të gjitha vendet, pavarësisht madhësisë apo kapaciteteve që ato kanë, siguria mbetet prioritet strategjik dhe ajo nuk mund të garantohet e vetme. Siguria jonë varet gjithnjë e më tepër nga aftësia për të bashkëpunuar, për të parandaluar kërcënimet dhe, kur është e nevojshme, për t’iu përgjigjur atyre së bashku. Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e Iniciativës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes (DECI)”, deklaroi Presidenti i Republikës.

Duke iu referuar sfidave të sigurisë, përfshirë dhe zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme, Kreu i Shtetit nënvizoi se, “paqja është e brishtë, se kufijtë dhe sovraniteti i shteteve mund të kërcënohen dhe se siguria nuk është një arritje e pakthyeshme”.

Në këtë situatë, Presidenti i Republikës vlerësoi progresin 14-vjeçar që duhet të vijojë me zgjerimin e bashkëpunimit praktik, veçanërisht në shkëmbimin e teknologjive dhe të ekspertizës, mbrojtjen nga sulmet kibernetike, modernizimin e kapaciteteve ushtarake, sigurinë detare dhe zhvillimin e infrastrukturës strategjike.

Presidenti Begaj riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e NATO-s, modernizimin e Forcave të Armatosura dhe rritjen e investimeve në mbrojtje, duke theksuar se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në sigurinë kolektive të Aleancës.

“Për Shqipërinë, forcimi i NATO-s, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe zgjerimi i sigurisë përmes bashkëpunimit rajonal mbeten prioritet të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes”, deklaroi Kreu i Shtetit.

Duke u ndalur te sfidat e Ballkani Perëndimor, Presidenti Begaj nënvizoi progresin e bërë, por theksoi se siguria e rajonit nuk mund të konsiderohet ende e konsoliduar.

“Besoj se forcimi i arkitekturës rajonale të sigurisë kërkon një bashkëpunim gjithnjë e më gjithëpërfshirës, ku edhe Kosova duhet të ketë vendin dhe kontributin e saj. Dhe pse jo, një ditë të jetë anëtare e këtyre iniciativave, por edhe anëtare e Aleancës”, u shpreh Kreu i Shtetit, duke theksuar njëherazi rëndësinë e KFOR-it në Kosovë dhe të strukturave të tjera ndërkombëtare të sigurisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Begaj vlerësoi se Konferenca e Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI) duhet të shërbejë si një platformë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe marrjen e përgjegjësive të përbashkëta, duke theksuar se, “paqja nuk ruhet vetëm duke thënë se e dëshirojmë atë; paqja ruhet duke investuar, duke investuar në siguri, duke investuar për të forcuar aleancat, duke investuar për të vepruar së bashku”.

Marrë nga ATSH

Begaj: Siguria nuk garantohet e vetme, forcimi i bashkëpunimit rajonal është domosdoshmëri

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë sot në Konferencën e Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI).

Global 360

Haga vendos sot për Thaçin dhe katër të bashkëakuzuarit e tjerë për “pengim të drejtësisë”

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe katër të bashkëakuzuarit e tij do të përballen sot me vendimin e Gjykatës Speciale…

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Liria e besimit nuk mbrohet vetë

Nga kujtesa e Hafiz Sabri Koçit te përgjegjësia për të ndërtuar institucione

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Begaj: Siguria nuk garantohet e vetme, forcimi i bashkëpunimit rajonal është domosdoshmëri

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë sot në Konferencën e Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI).