Projektligji i ri për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, skema shtatëvjeçare mbështetjeje për fermerët

Një kuadër i ri ligjor për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimin rural synon të ndryshojë mënyrën e programimit, financimit dhe administrimit të subvencioneve për fermerët, duke përafruar politikat kombëtare me Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian.


Një kuadër i ri ligjor për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimin rural synon të ndryshojë mënyrën e programimit, financimit dhe administrimit të subvencioneve për fermerët, duke përafruar politikat kombëtare me Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian.

Projektligji “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, i publikuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për konsultim publik parashikon zëvendësimin e kuadrit ligjor të vitit 2007 dhe krijimin e një sistemi shumëvjeçar të mbështetjes, me kritere të përcaktuara, monitorim dhe vlerësim të rezultateve.

Një nga ndryshimet kryesore është kalimi nga përcaktimi i skemave të mbështetjes kryesisht me vendime vjetore, në një Dokument Strategjik për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave për një periudhë shtatëvjeçare.

Ky dokument do të përcaktojë nevojat e sektorit, ndërhyrjet financiare, kriteret e përfitimit, treguesit e performancës dhe fondet e planifikuara për çdo vit. Projektligji përcakton gjithashtu se mbështetja do të financohet nga Buxheti i Shtetit, fondet e Bashkimit Evropian, donatorët ndërkombëtarë dhe burime të tjera të ligjshme.

Një tjetër risi është përcaktimi i koncepteve të reja në legjislacionin shqiptar, si “fermeri aktiv”, “fermeri i ri” dhe “hektari i pranueshëm”. Këto kritere do të shërbejnë për identifikimin e përfituesve dhe përcaktimin e sipërfaqeve që mund të përfitojnë mbështetje. Fermeri aktiv do të jetë ai që ushtron një nivel minimal veprimtarie bujqësore, administron fermën dhe mban përgjegjësinë ekonomike për të.

Sa i përket instrumenteve financiare, projektligji zgjeron format e mbështetjes. Krahas rimbursimit të shpenzimeve dhe pagesave për hektar apo krerë, parashikohen edhe kredi, garanci financiare dhe mbështetje për kapitalin qarkullues. Mbështetja do të përfshijë gjithashtu investimet në ferma, përpunimin, tregtimin, infrastrukturën rurale dhe bashkëpunimin mes prodhuesve.

Skema Kombëtare e Mbështetjes, do të zbatoj një model të ri të mbështetjes financiare për fermerët, duke parashikuar pagesa bazë vjetore për çdo hektar të pranueshëm, të pavarura nga sasia e prodhimit dhe të dedikuara vetëm për fermerët aktivë. Për përfitimin e mbështetjes bazë së të ardhurave përcaktohet një sipërfaqe minimale ose një shumë minimale pagese. Skema e re synon të orientojë më shumë financime drejt fermerëve të rinj, fermerëve të vegjël dhe fermave familjare, përmes mbështetjes plotësuese dhe pagesave të thjeshtuara. Gjithashtu, pagesat do të diferencohen sipas nevojave dhe karakteristikave të fermave, duke vendosur kufij minimalë dhe një tavan maksimal për përfituesit, për të garantuar shpërndarje më të drejtë të fondeve.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm është lidhja e mbështetjes financiare me objektivat mjedisore dhe klimatike.

Projektligji parashikon angazhime për mbrojtjen e biodiversitetit, përdorimin e qëndrueshëm të tokës dhe ujit, uljen e emetimeve dhe përmirësimin e mirëqenies së kafshëve.

Për herë të parë parashikohet edhe një paketë e integruar për rinovimin e brezave në bujqësi, me masa për tërheqjen dhe mbajtjen e fermerëve të rinj në sektor, si dhe një pikë të vetme kontakti për mbështetjen e tyre.

Në drejtim të administrimit dhe kontrollit, projektligji parashikon ngritjen e Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit, që do të mundësojë identifikimin e parcelave bujqësore, monitorimin e sipërfaqeve dhe verifikimin e aplikimeve e pagesave. Sistemi do të mbështetet edhe në të dhënat satelitore, regjistrin e fermave dhe regjistrin e kafshëve, me zbatim gradual brenda pesë viteve.

Projektligji përcakton gjithashtu forcimin e përgjegjësisë institucionale në administrimin e fondeve, ndarjen e funksioneve të menaxhimit, pagesave dhe auditimit, si dhe rikuperimin e pagesave të përfituara në mënyrë të padrejtë.

Projektligji parashikon një periudhë tranzitore për kalimin drejt sistemit të ri të mbështetjes së bujqësisë. Skemat aktuale do të vijojnë të zbatohen deri në zëvendësimin e tyre, por jo më shumë se 24 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Ndërkohë, sistemi i integruar i administrimit dhe kontrollit do të shtrihet gradualisht brenda pesë viteve, ndërsa Agjencia e Pagesave do të vijojë funksionimin gjatë procesit të akreditimit të ri. Pas anëtarësimit në BE, zbatimi i ligjit do të përshtatet me legjislacionin evropian.

Sipas relacionit shpjegues të nismës, projektligji synon përafrimin e sistemit shqiptar me rregullat e Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së, duke krijuar bazën për administrimin e fondeve evropiane dhe përmirësimin e kontrollit mbi përdorimin e financimit.

Burimi ATSH

Projektligji i ri për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, skema shtatëvjeçare mbështetjeje për fermerët

Një kuadër i ri ligjor për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimin rural synon të ndryshojë mënyrën e programimit, financimit dhe…

Global 360

Haga vendos sot për Thaçin dhe katër të bashkëakuzuarit e tjerë për “pengim të drejtësisë”

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe katër të bashkëakuzuarit e tij do të përballen sot me vendimin e Gjykatës Speciale…

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Liria e besimit nuk mbrohet vetë

Nga kujtesa e Hafiz Sabri Koçit te përgjegjësia për të ndërtuar institucione

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Projektligji i ri për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, skema shtatëvjeçare mbështetjeje për fermerët

Një kuadër i ri ligjor për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimin rural synon të ndryshojë mënyrën e programimit, financimit dhe…