Hoxha: Synojmë mbylljen e 5-6 kapitujve të negociatave me BE deri në fund të vitit, në pranverë nis hartimi i Traktatit të Anëtarësimit

Shqipëria synon të mbyllë pesë ose gjashtë kapituj negociues deri në fund të vitit 2026, ndërsa në pranverën e vitit 2027 pritet të nisë hartimi i Traktatit të Anëtarësimit në Bashkimin Europian.


Shqipëria synon të mbyllë pesë ose gjashtë kapituj negociues deri në fund të vitit 2026, ndërsa në pranverën e vitit 2027 pritet të nisë hartimi i Traktatit të Anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një intervistë për Report TV, bëri të ditur se ekipi negociator ka dorëzuar pozicionet negociuese për pesë kapituj dhe tashmë pritet vlerësimi i Komisionit Europian, përpara se vendet anëtare të marrin vendimin përfundimtar për mbylljen e tyre.

“Jemi në fazën që kemi planifikuar. Ekipi negociator ka dorëzuar pozicionet tona negociuese për pesë kapituj. Do të shohim nëse do të mbyllen pesë apo gjashtë. Shpresoj që pesë ose gjashtë kapituj të mbyllen brenda vitit. Ne e kemi bërë punën tonë”, u shpreh Hoxha.

Ai theksoi se procesi do të vijojë me vlerësimet dhe diskutimet në strukturat përkatëse të Bashkimit Europian, përfshirë COELA-n dhe COREPER-in, ndërsa verdikti përfundimtar do të jepet nga vendet anëtare, në bashkëpunim me presidencën e radhës.

Sa i përket hartimit të Traktatit të Anëtarësimit, Hoxha u shpreh se pret që Shqipëria të ndjekë modelin e Malit të Zi, ku pas mbylljes së rreth 12 kapitujve, Këshilli vendosi krijimin e një grupi ad hoc për hartimin e projekttraktatit.

“Pasi të kemi arritur një masë kritike në mbylljen e kapitujve, pres që Këshilli të vendosë nisjen e procesit të hartimit të projekttraktatit. Në pranverën e ardhshme do të nisë hartimi i traktatit. Është një rrugëtim i mrekullueshëm, plot shpresë”, deklaroi ministri.

Në intervistë, Hoxha u ndal edhe te buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2027, i cili arrin në 3,91 miliardë lekë, me një rritje prej 85%. Sipas tij, ky është buxheti më i madh në historinë e diplomacisë shqiptare dhe në fokus të tij është mbështetja e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ministri bëri të ditur se 180 milionë lekë janë parashikuar për aktivitete të dedikuara për integrimin europian, ndërsa një prioritet do të jetë forcimi i kapaciteteve të misionit shqiptar në Bruksel.

“Do të kemi nevojë për një mision me rreth 60–80 anëtarë, sa ka sot edhe vendi më i vogël anëtar i BE-së. Sot kemi rreth një të katërtën e këtij numri. Angazhimi im është të kemi personelin që na duhet për të mbrojtur interesat e vendit atje”, u shpreh Hoxha.

Ai nënvizoi se synohet forcimi i përfaqësive shqiptare në vendet anëtare të BE-së, si dhe mbështetja e eksporteve shqiptare për të rritur aftësinë konkurruese në tregun europian.

Hoxha foli edhe për vlerësimin e performancës së punonjësve të diplomacisë, duke theksuar se rezultatet duhet të reflektohen në shpërblimin e tyre, përmes bonuseve apo mekanizmave të tjerë.

“Do të bëjmë një vlerësim që të pasqyrojë sa më mirë rezultatet dhe do të përpiqemi t’i shpërblejmë, me bonuse apo në forma të tjera, ata që janë në vijën e parë dhe që japin më shumë rezultate”, tha ministri.

/Marrë nga ATSH

Hoxha: Synojmë mbylljen e 5-6 kapitujve të negociatave me BE deri në fund të vitit, në pranverë nis hartimi i Traktatit të Anëtarësimit

Shqipëria synon të mbyllë pesë ose gjashtë kapituj negociues deri në fund të vitit 2026, ndërsa në pranverën e vitit…

Global 360

Haga vendos sot për Thaçin dhe katër të bashkëakuzuarit e tjerë për “pengim të drejtësisë”

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe katër të bashkëakuzuarit e tij do të përballen sot me vendimin e Gjykatës Speciale…

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Liria e besimit nuk mbrohet vetë

Nga kujtesa e Hafiz Sabri Koçit te përgjegjësia për të ndërtuar institucione

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Hoxha: Synojmë mbylljen e 5-6 kapitujve të negociatave me BE deri në fund të vitit, në pranverë nis hartimi i Traktatit të Anëtarësimit

Shqipëria synon të mbyllë pesë ose gjashtë kapituj negociues deri në fund të vitit 2026, ndërsa në pranverën e vitit…