
Salla: Bujqësia 10% më shumë financim në 2027-ën, prioritet fermerët dhe prodhimi vendas
Buxheti i vitit 2027 parashikon 18 miliardë lekë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, 10% më shumë krahasuar me vitin 2026.

Buxheti i vitit 2027 parashikon 18 miliardë lekë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, 10% më shumë krahasuar me vitin 2026.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla e cilësoi sot këtë si mbështetjen më të lartë historike të planifikuar për sektorin.
Përmes një videomesazhi, Salla theksoi se rritja ekonomike krijon mundësi për më shumë mbështetje financiare për qytetarët dhe sektorët prodhues të vendit.
“Rritja e ekonomisë na jep mundësinë që për herë të parë të kemi një buxhet 10 miliardë euro, duke e kthyer zhvillimin ekonomik në më shumë mbështetje për qytetarët dhe sektorët prodhues të vendit”, deklaroi Salla.
Ai nënvizoi se rëndësi të veçantë ka mënyra se si financimi i parashikuar do të përkthehet në përfitime konkrete për fermerët.
“Por për ne më e rëndësishmja është se si ky buxhet të përkthehet në më shumë të ardhura për fermerët, kosto më të ulëta prodhimi dhe më shumë mundësi investimi në fshatin shqiptar”, u shpreh ministri.
Sipas tij, nga fondi i përgjithshëm, 8,4 miliardë lekë janë parashikuar për zhvillimin rural, ndërsa 5,3 miliardë lekë do të shkojnë për Skemën Kombëtare, me synim nxitjen e zhvillimit rural, modernizimin e fermave dhe fuqizimin e blegtorisë.
Ministri bëri të ditur se përmes paketës së re fiskale synohet ulja e çmimit të naftës me rreth 32 lekë për litër, si dhe dyfishimi i fondit për kompensimin 10% të autofaturave për fermerët.
Gjithashtu, 4,3 miliardë lekë janë parashikuar për ujitjen dhe kullimin, ndërsa rreth 3 miliardë lekë për sigurinë ushqimore dhe forcimin e kontrolleve në përputhje me standardet europiane.
“Buxheti 2027 është angazhimi ynë për një bujqësi më konkurruese, që ecën drejt BE-së, me më shumë mbështetje për fermerët, më shumë prodhim vendas dhe më shumë zhvillim për Shqipërinë 2030”, përfundoi Salla.
Burimi ATSH


















