
Nufi: Rrisim shpenzimet për mbrojtjen, në 2027 arrijnë 2,61% të PBB-së
Shqipëria do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen në vitin 2027, duke i çuar ato në 2,61% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mbi 57% e buxhetit të mbrojtjes do të shkojë për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe kapaciteteve të tyre.

Shqipëria do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen në vitin 2027, duke i çuar ato në 2,61% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mbi 57% e buxhetit të mbrojtjes do të shkojë për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe kapaciteteve të tyre.
I ftuar në një studio televizive, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi u ndal te buxheti për mbrojtjen dhe angazhimet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s.
Nufi, tha se objektivi prej 5% i dakordësuar në Samitin e Hagës është një objektiv që duhet të arrihet deri në vitin 2035.
“Masa 5% është për vitin 2035. Deri në vitin 2035 të gjitha shtetet duhet të ndjekin një shteg, i cili quhet ‘shtegu i besueshëm i shpenzimeve’ (credible path for expenditure), ku Shqipëria po përmbush plotësisht kërkesat e Aleancës dhe kjo është konfirmuar nga vetë Sekretariati i NATO-s”, tha Nufi.
Ai shpjegoi se objektivi prej 5% ndahet në dy kategori, ku 3,5% përbëjnë shpenzimet kryesore të mbrojtjes, ndërsa 1,5% përfshijnë shpenzime të lidhura me mbrojtjen.
Sipas ministrit, disa investime që lidhen me mbrojtjen nuk përfshihen drejtpërdrejt në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
“Korridori i sigurisë është një korridor mobiliteti të trupave. Shpenzimet për ndërtimin e këtij korridori ndodhen pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Një rast tjetër janë shpenzimet për sigurinë kibernetike, të cilat përsëri nuk ndodhen specifikisht te buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, por ndodhen te buxheti i Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike”, tha Nufi.
Ndërsa për vitin 2027, Nufi bëri të ditur se buxheti i alokuar për mbrojtjen arrin në 76.3 miliardë lekë.
“Për vitin 2027 ne jemi në masën 2,61% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në buxhetin e alokuar për mbrojtjen dhe specifikisht 76,3 miliardë lekë, të cilat janë, për llogaritë e buxhetit të shtetit, 2.,61%, dhe nga të cilat 2,35% janë ‘core defense spending’. Pra, ne vazhdojmë të rritemi nga 2,2 në 2,35% shpenzime ‘core defense’”, tha ministri.
Ai shtoi se pjesa tjetër e shpenzimeve përfshihet në programe të tjera buxhetore, përfshirë spitalin ushtarak dhe programe të tjera.
I pyetur se për çfarë do të shpenzohen konkretisht fondet në vitin e ardhshëm dhe nëse ka programe ambicioze armatimi, Nufi tha se pjesa më e madhe e buxhetit do të shkojë për modernizimin e Forcave të Armatosura.
“Pjesa më e madhe e këtij buxheti, mbi 57%, shkon për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe për modernizimin e kapaciteteve”, tha ai.
Burimi ATSH

















