
Xhemali takon misionin e FMN-së, diskutime për zhvillimin e tregjeve financiare
Drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Adela Xhemali zhvilloi sot një takim me përfaqësues të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë, të kryesuar nga shefi i misionit Diego Cerdeiro.

Drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Adela Xhemali zhvilloi sot një takim me përfaqësues të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë, të kryesuar nga shefi i misionit Diego Cerdeiro.
Takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve periodike të FMN-së mbi zhvillimet ekonomike në vend.
“Diskutimet u përqendruan në zhvillimet më të fundit në tregjet financiare jobankare në Shqipëri, ecurinë e reformave ligjore dhe rregullatore, prioritetet e mbikëqyrjes, duke u fokusuar në progresin e arritur nga Autoriteti në përgatitjen e institucionit dhe të tregjeve për integrimin në Bashkimin Evropian, përmes avancimit të përafrimit të kuadrit ligjor me legjislacionin e BE-së”, theksoi drejtoresha e AMF.
Xhemali paraqiti një panoramë të tregut të sigurimeve, tregut të kapitaleve, fondeve të investimeve dhe pensioneve private, duke trajtuar tendencat kryesore dhe sfidat me rëndësi për stabilitetin financiar.
Xhemali vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me FMN-në, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe të mbështetjes së këtij institucioni për avancimin e reformave dhe forcimin e mbikëqyrjes së tregjeve financiare jobankare.
Nga ana e tij, shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Diego Cerdeiro, vlerësoi progresin e Autoritetit në hartimin e kuadrit ligjor e rregullator dhe përafrimin e tij me legjislacionin e Bashkimit Evropian, në kuadër të Kapitullit 9 “Shërbimet financiare”.
Reformat në proces synojnë forcimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, përmirësimin e qeverisjes dhe transparencës së subjekteve të mbikëqyrura, si dhe rritjen e mbrojtjes së konsumatorëve dhe investitorëve.
Takimi u zhvillua në vijim të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Autoritetit dhe FMN-së për shkëmbimin e informacionit mbi zhvillimet në tregjet financiare jobankare, duke mbështetur përgatitjen institucionale dhe të tregjeve për përmbushjen e kërkesave dhe standardeve evropiane.
Burimi ATSH


















