
Ambasadorja e BE-së takohet me Spahiun, në fokus mbrojtja e fëmijëve, grave dhe grupeve vulnerabël
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa zhvilloi një takim me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa zhvilloi një takim me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ku në fokus ishte kujdesi ndaj qytetarëve, mbrojtja sociale dhe garantimi i shërbimeve të aksesueshme për të gjithë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ambasadorja Moreira de Sousa bëri të ditur se në qendër të bisedës ishte rëndësia e ofrimit të kujdesit ndaj qytetarëve.
“Ligjet e mira janë të rëndësishme, por ajo që ka vërtet rëndësi është kujdesi që marrin qytetarët: i përballueshëm, i drejtë dhe pranë vendbanimit të tyre”, u shpreh ambasadorja De Sousa.
Ajo theksoi se diskutimet u përqendruan gjithashtu te mbrojtja e fëmijëve, e qytetarëve dhe komuniteteve vulnerabël, si dhe te mbështetja dhe mbrojtja e grave që përballen me dhunën.
Ambasadorja e BE-së nënvizoi angazhimin e Bashkimit Evropian për të vijuar bashkëpunimin me Shqipërinë në këto fusha, duke mbështetur përpjekjet për përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e mekanizmave të mbrojtjes sociale.
“BE-ja do të vazhdojë të punojë së bashku me Shqipërinë për këto çështje”, theksoi Moreira de Sousa.
Burimi ATSH

















