
KOKSH dhe AMTA nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për promovimin e sportit, shëndetit dhe turizmit mjekësor
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Shoqata Shqiptare e Turizmit Mjekësor (AMTA) kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, me synim forcimin e lidhjeve mes sportit, shëndetësisë dhe turizmit mjekësor.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Shoqata Shqiptare e Turizmit Mjekësor (AMTA) kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, me synim forcimin e lidhjeve mes sportit, shëndetësisë dhe turizmit mjekësor.
Memorandumi u nënshkrua në ambientet e KOKSH-it nga presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, dhe themeluesja e presidentja e AMTA-s, Katerina Osmani. Në ceremoninë e firmosjes ishte e pranishme edhe drejtoresha ekzekutive e shoqatës, Merita Osmani.
Bashkëpunimi synon promovimin e shëndetit, aktivitetit fizik dhe mirëqenies, si dhe prezantimin ndërkombëtar të potencialeve të Shqipërisë në fushën e turizmit mjekësor.
AMTA synon të forcojë pozicionin e Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të turizmit mjekësor, përmes bashkëpunimit me sektorin shëndetësor, institucionet publike, strukturat e turizmit, universitetet, investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Një fokus i veçantë do t’i kushtohet edhe jetëgjatësisë aktive, mjekësisë parandaluese dhe mirëqenies, fusha që lidhen me promovimin e aktivitetit fizik dhe një stili të shëndetshëm jetese.
Për KOKSH-in, kjo marrëveshje përfaqëson një hap drejt promovimit të sportit jo vetëm si aktivitet konkurrues, por edhe si një element të rëndësishëm të shëndetit publik dhe cilësisë së jetës.
Burimi ATSH



















