
Ibrahimaj: Të ardhurat shtesë të buxhetit do të shkojnë për pensionistët
Të ardhurat që tejkalojnë planifikimin buxhetor do të kalojnë në një fond të posaçëm në Bankën e Shqipërisë, me destinacion mbështetjen financiare të pensionistëve.

Të ardhurat që tejkalojnë planifikimin buxhetor do të kalojnë në një fond të posaçëm në Bankën e Shqipërisë, me destinacion mbështetjen financiare të pensionistëve.
Kështu deklaroi ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një intervistë televizive mbrëmjen e sotme, ku foli për buxhetin e vitit 2027, shpërndarjen e fondeve publike dhe prioritetet e qeverisë.
Ibrahimaj theksoi se kjo praktikë është ndjekur edhe gjatë vitit të kaluar, kur rreth 16 milionë euro nga të ardhurat e paplanifikuara u vendosën në fondin e posaçëm dhe mundësuan dhënien e një bonusi për pensionistët në muajin korrik.
“Të gjitha fondet që janë përtej planifikimit të të ardhurave i kemi vendosur në një fond të posaçëm në Bankën e Shqipërisë. Këto fonde kanë destinacion të përcaktuar dhe do të shpenzohen për pensionistët, me qëllim rritjen e të ardhurave të tyre”, u shpreh ministrja.
Ajo sqaroi se tejkalimi i planit të të ardhurave është konstatuar në katër-pesë vitet e fundit, që nga viti 2021, ndërsa bëri të ditur se edhe këtë vit fondet shtesë që nuk do të shpenzohen sipas planifikimit do të kalojnë në të njëjtin mekanizëm.
Ministrja u ndal edhe te mosrealizimi i disa shpenzimeve publike, duke e lidhur atë me vonesat në zbatimin e projekteve, procedurat e prokurimit dhe ankimimet në Komisionin e Prokurimit Publik.
“Kjo nuk do të thotë se fakti që sot jemi në suficit është një gjë e mirë. Sigurisht, do të ishte më mirë që paratë të shpenzoheshin sipas planifikimeve. Megjithatë, arsye të ndryshme çojnë në mosrealizimin e projekteve, të cilat ndonjëherë janë edhe jashtë kontrollit tonë”, deklaroi Ibrahimaj.
Për të shmangur vonesat dhe për të rritur eficiencën e investimeve publike, ajo bëri të ditur se nga viti i ardhshëm do të zgjerohen kompetencat e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, i cili do të marrë përsipër një gamë më të gjerë procedurash prokurimi, përfshirë investimet në rrugë dhe rikonstruksione.
“Operatori i Blerjeve të Përqendruara do të centralizojë të gjitha blerjet e qeverisë. Pra, nuk do të mbulojë më vetëm një pjesë të blerjeve, siç ndodh aktualisht, por do të marrë përsipër një gamë shumë më të gjerë të tyre, përfshirë rrugët dhe rikonstruksionet”, tha ministrja.
Sipas saj, OBP do të kujdeset për të gjithë procesin, nga hartimi i regjistrit të prokurimeve dhe studimet e tregut, deri te zhvillimi i procedurave, duke synuar që këto procese të mos kryhen më në mënyrë të fragmentuar nga ministritë e linjës.
Duke folur për ndikimin e politikave fiskale te familjet shqiptare, Ibrahimaj theksoi se përfitimi më i madh pritet të jetë për familjet me të ardhura më të ulëta, ku shpenzimet për ushqime zënë një pjesë më të madhe të buxhetit familjar.
“Përfitimi do të jetë më i madh për familjet me të ardhura më të ulëta. Pra, efekti do të ndihet më shumë te këto familje, ku shpenzimet për ushqime zënë një peshë më të madhe krahasuar me familjen mesatare shqiptare”, u shpreh Ministrja.
Burimi ATSH


















