
SEPA mbi 788 mijë transferta me vlerë 8,7 miliardë euro, përfitime për qytetarët dhe bizneset
Sistemi nisi funksionimin për Shqipërinë më 7 tetor 2025, duke krijuar mundësi për pagesa ndërkufitare në euro me tarifa më të favorshme për individët dhe bizneset.

Transfertat në euro drejt dhe nga Shqipëria po kryhen me kosto dukshëm më të ulëta pas përfshirjes së vendit në sistemin europian të pagesave SEPA, ndërsa në 11 muaj janë realizuar rreth 788 mijë transaksione, me vlerë totale 8,7 miliardë euro.
Sistemi nisi funksionimin për Shqipërinë më 7 tetor 2025, duke krijuar mundësi për pagesa ndërkufitare në euro me tarifa më të favorshme për individët dhe bizneset.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga numri i përgjithshëm i transfertave hyrëse dhe dalëse, rreth 43% janë kryer nga individët dhe pjesa tjetër nga bizneset. Përdorimi i kanaleve digjitale është gjithashtu i konsiderueshëm, pasi 69% e transfertave dalëse janë iniciuar përmes shërbimeve bankare në internet ose aplikacioneve në celular.
Efekti i sistemit vihet re veçanërisht në uljen e tarifave bankare. Për një transfertë prej 5,000 eurosh, tarifa ka zbritur nga 0,76% në 0,08%, ndërsa për një transfertë prej 20,000 eurosh, nga 0,47% në 0,02%.
Ulja e kostove lehtëson dërgesat e emigrantëve drejt familjeve në Shqipëri dhe pagesat që bizneset shqiptare kryejnë me partnerët e tyre në vendet pjesëmarrëse në SEPA. Për kompanitë që realizojnë rregullisht transferta me vlera të larta, tarifat më të ulëta ndihmojnë në reduktimin e shpenzimeve financiare.
Sipas parashikimeve të mëparshme, kursimet për ekonominë shqiptare nga ulja e kostove të transaksioneve në euro vlerësohen në rreth 70 milionë euro.
Përtej përfitimit financiar, përdorimi i SEPA-s nxit edhe digjitalizimin e shërbimeve bankare dhe lehtëson marrëdhëniet ekonomike me vendet europiane. Përfshirja në këtë sistem përbën një hap të rëndësishëm në përafrimin e infrastrukturës shqiptare të pagesave me atë të Bashkimit Europian.
Burimi ATSH



















