“Dyfisho Sipërmarrjen”, Ibrahimaj: Mbi 1 mijë kërkesa nga bizneset, 32 kredi të miratuara

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se që prej lançimit të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” në korrik, mbi 1 mijë kërkesa janë paraqitur nga bizneset për të përfituar financim për rritjen e investimeve dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre.


Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se që prej lançimit të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” në korrik, mbi 1 mijë kërkesa janë paraqitur nga bizneset për të përfituar financim për rritjen e investimeve dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre.

Deri tani, rreth 350 aplikime kanë përmbushur dokumentacionin e nevojshëm dhe janë përcjellë pranë bankave për shqyrtim, ndërsa 32 biznese kanë marrë miratimin për kredi, me një vlerë totale prej rreth 500 milionë lekësh.

Gjatë një takimi me Kryeministrin Edi Rama dhe sipërmarrës, ministrja Ibrahimaj theksoi se programi synon të mbështesë bizneset e vogla dhe të mesme në rritjen e investimeve, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara nga tregu europian.

“Biznesi, në fazat që Shqipëria është, ka nevojë që të rrisë investimet. Ka nevojë që të zgjerohet, ka nevojë që të dyfishohet, edhe më shumë se dyfishohet”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” ofron kredi me normë interesi deri në 2%, afat maturimi deri në 10 vjet dhe vlerë maksimale deri në 2 milionë euro. Garancia sovrane e vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare mbulon deri në 70% të kolateralit. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një fond prej 250 milionë eurosh për mbështetjen e financimit të biznesit.

Për të lehtësuar aksesin e bizneseve në financim, ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se janë ngritur edhe dy linja këshillimi. Për bizneset në zonat rurale dhe sektorin bujqësor, në bashkëpunim me AZBR-në, agropikat e shpërndara në të gjithë vendin do të shërbejnë si pika kontakti për informacionin mbi programin, këshillimin për hartimin e planit të biznesit dhe ndjekjen e procesit të aplikimit.

Ndërkohë, për bizneset që operojnë në zonat urbane, është vënë në dispozicion një fond prej gati 8 milionë eurosh për mbështetjen e hartimit të planeve të biznesit. Sipas ministres Ibrahimaj, nga komunikimi me bankat është konstatuar se një pjesë e bizneseve kanë ide të mira investimi dhe përmbushin kriteret bazë për të aplikuar, por nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të hartuar një plan biznesi të financueshëm nga sistemi bankar.

Në rastet kur aplikimi kthehet nga banka për shkak të mangësive në planin e biznesit, bizneset do të mund të marrin mbështetje përmes agropikave ose ekspertëve të kontraktuar nga UNDP-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, me qëllim përmirësimin e planeve dhe rritjen e mundësisë për financim.

Duke folur për nevojën për investime në kushtet e procesit të integrimit europian, ministrja Ibrahimaj tha se bizneset shqiptare do të duhet të përmbushin standarde dhe kritere të përafruara me ato të Bashkimit Europian, për të qenë konkurruese në tregun vendas dhe më gjerë.

“Ne kemi dhe gjithë procesin e rrugëtimit të integrimit europian, në të cilin shumë bizneseve do t’u kërkohet që të përmbushin standarde dhe kritere të cilat janë konform me Bashkimin Europian, me qëllim që ne të jemi konkurrues në tregun vendas, por edhe më gjerë se tregu vendas”, tha Ibrahimaj.

Deri tani, interes për programin kanë shprehur biznese nga nëntë qarqe të vendit, që operojnë në sektorë të ndryshëm, me një numër të konsiderueshëm kërkesash nga bizneset e lidhura me prodhimin bujqësor. Kanë nisur gjithashtu miratimet për biznese në sektorë të tjerë të ekonomisë, pasi garancia sovrane i dedikohet të gjithë sektorëve të ekonomisë, me përjashtim të ndërtimit rezidencial dhe sektorit financiar.

Ministrja Ibrahimaj theksoi gjithashtu se, në varësi të kërkesës së bizneseve, qeveria është e gatshme të rrisë fondin e vënë në dispozicion për garancinë sovrane, duke e dyfishuar apo trefishuar atë. Sipas saj, deri tani rreth 400 biznese kanë hyrë në procesin e aplikimit, me një vlerë totale aplikimesh prej rreth 21 miliardë lekësh.

Programi parashikon financim deri në 2 milionë euro për bizneset e vogla dhe të mesme, me qëllim mbështetjen e investimeve dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se zbatimi i programit do të shoqërohet me dialog të vazhdueshëm me sipërmarrjen, për të identifikuar nevojat konkrete të bizneseve dhe për të përshtatur, kur është e nevojshme, instrumentet e mbështetjes.

“Ne jemi këtu sot, në fakt, për të dëgjuar historinë e kompanisë “Mokador”, dhe histori të tjera që ju mund të keni, me qëllim që të bëjmë të mundur që programin të cilin e kemi ndërtuar edhe ta ndryshojmë, pasi jemi fleksibël për të qenë në ndihmë dhe në suport të investimeve të subjekteve private”, u shpreh ministrja.

Marrë nga ATSH

“Dyfisho Sipërmarrjen”, Ibrahimaj: Mbi 1 mijë kërkesa nga bizneset, 32 kredi të miratuara

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se që prej lançimit të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” në…

Global 360

Kosova me presidente të re/ Kuvendi zgjedh Justina Shiroka Pulën

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e re e Republikës së Kosovës, duke marrë 81 vota në Kuvend dhe duke i…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Beretat jeshile zbarkojnë në Tiranë

Si sot 35 vjet më parë, më 1 tetor 1991, u rihap Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, një…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

“Dyfisho Sipërmarrjen”, Ibrahimaj: Mbi 1 mijë kërkesa nga bizneset, 32 kredi të miratuara

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se që prej lançimit të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” në…