
Ibrahimaj: Mbështetje për bizneset shqiptare për të përmbushur standardet europiane
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj siguroi sot gatishmërinë e qeverisë për të mbështetur nismat që i afrojnë bizneset shqiptare me tregjet europiane.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj siguroi sot gatishmërinë e qeverisë për të mbështetur nismat që i afrojnë bizneset shqiptare me tregjet europiane.
Ibrahimaj mori pjesë në konferencën “Turn ESG into Business Value: From Commitment to Competitive Advantage”, organizuar në Tiranë nga Albanian ESG Network, AmCham Albania dhe AmCham Kosovo, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të biznesit, institucioneve financiare dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj u ndal te rëndësia që marrin standardet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG) për bizneset shqiptare në procesin e afrimit me Bashkimin Europian. Ajo theksoi se ESG nuk lidhet vetëm me mjedisin, por edhe me raportimin, kontabilitetin dhe mënyrën e të bërit biznes, ndaj përgatitja për këto kërkesa është pjesë e procesit të integrimit në tregun europian.
“Disa vite më parë, ESG dukej disi e largët, diçka që nuk na shqetësonte, diçka shumë larg realitetit shqiptar, por ne po ecim përpara dhe po ecim drejt BE-së”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj bëri të ditur se qeveria ka nisur punën për të mbështetur bizneset në këtë proces, jo vetëm përmes përshtatjes së legjislacionit, por edhe përmes programeve konkrete me kompanitë.
Në këtë kuadër, ajo njoftoi se së shpejti do të nisë një program me agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, i cili do të përfshijë informimin dhe trajnimin e bizneseve, vlerësimin e nivelit të përgatitjes së tyre dhe përcaktimin e mbështetjes që u nevojitet për përmbushjen e standardeve.
Sipas ministres, përmbushja e standardeve duhet parë përtej respektimit formal të kërkesave, pasi lidhet drejtpërdrejt me aftësinë e kompanive për të konkurruar dhe për të hyrë në tregjet europiane.
“Përmbushja e standardeve, sigurisht, nuk ka të bëjë vetëm me respektimin e legjislacionit apo me plotësimin e kutive. Ka të bëjë me të qenit më konkurrues. Ka të bëjë me hyrjen në tregjet europiane. Ka të bëjë me përfitimin e avantazhit të të parëve që lëvizin”, tha Ibrahimaj.
Një pjesë e rëndësishme e mbështetjes lidhet edhe me financimin. Ministrja përmendi programin “Dyfisho Biznesin”, i cili u mundëson bizneseve të aplikojnë për kredi me interes 2% dhe me 70% të kolateralit të mbuluar përmes garancisë sovrane.
Në kuadër të këtij programi, sipas ministres, një nga synimet është edhe financimi i certifikimeve që u mundësojnë kompanive të përmbushin standardet e kërkuara.
Paralelisht, tha ministrja, Banka Shqiptare e Zhvillimit po harton një program të ri mbështetjeje dhe financimi për të ndihmuar bizneset shqiptare në procesin e integrimit në tregun europian.
Duke vënë theksin te nevoja për një përpjekje të përbashkët mes qeverisë, biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë, ministrja Ibrahimaj u bëri thirrje edhe kompanive që kanë më shumë eksperiencë në këtë fushë që të kontribuojnë në përhapjen e informacionit dhe në mbështetjen e bizneseve që janë ende në hapat e parë.
Burimi ATSH



















