
Rama: Do të gjykojmë me ashpërsi politike çdo drejtues që largon punonjësit në mënyrë arbitrare
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste të Tiranës, reagoi sot lidhur me situatën në bashkinë e Tiranës dhe reagimet e kryebashkiakut Erion Veliaj nga burgu.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste të Tiranës, reagoi sot lidhur me situatën në bashkinë e Tiranës dhe reagimet e kryebashkiakut Erion Veliaj nga burgu.
Rama tha se nuk e gjykon Erion Veliajn për deklaratat dhe veprimet e tij, por u shpreh që ai të kuptojë gabimet në raport me të dhe Partinë Socialiste.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal kryesisht edhe tek rasti ndaj drejtueses së policisë bashkiake të Tiranës, Elona Lalaj, që sipas tij po hiqen nga puna se nuk bëjnë “like” dhe “share” postimet e kryebashkiakut.
“Si mund të largohet nga puna arbitrarisht, një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si dhe të tjera e të tjerë drejtues dhe punonjës në hierarkinë e Bashkisë së Tiranës, pse nuk u bëjnë like e share dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik? Apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij? Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është thjesht një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku nuk do të tolerohet më askush që flet dhe sillet me detyrat ndaj popullit dhe ndaj kësaj familje si e ëma e Zeqos në majë të thanes”, tha Rama.
Në të njëjtën kohë, Rama tha se do të ketë një qëndrim të ashpër politik ndaj çdo drejtuesi të bashkisë së Tiranës që do të ndërmarrë largime arbitrare ndaj punonjësve.
“E përsëris, unë nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe çfarë ai bën. Po vetëm uroj me gjithë zemër që ai të kuptojë se është në gabim, ditë e natë, në raport me mua dhe në raport me Partinë Socialiste të Shqipërisë. Por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do ta zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë, qofshin anëtarë të kësaj familjeje, qofshin shërbëtorë publikë pa parti, si Elona Lalaj, apo qofshin edhe qytetarë demokratë që punojnë në radhët e mira e mira njerëzve në Bashkinë e Tiranës”, tha Rama.
/Burimi ATSH


















