
Projekti “Rrugët e shijes” në fshatrat e Korçës, hapësira të reja për tregtimin e produkteve lokale
Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale, pamje nga ky projekt.

Në disa prej fshatrave të Korçës po krijohen hapësira të reja për prodhimin, promovimin dhe tregtimin e produkteve tipike të zonës, në kuadër të projektit “Rrugët e Shijes”.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale, pamje nga ky projekt, ndërsa u shpreh se “në fshatrat e Korçës po marrin jetë hapësira të reja, ku tradita, shija dhe puna e banorëve vendas bëhen pjesë e një përvoje të bukur për çdo vizitor”.
Rama nënvizoi se “përmes projektit “Rrugët e Shijes”, një bashkëpunim mes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Korçë, qendrat e disa fshatrave do të shndërrohen në pika të reja të prodhimit, promovimit dhe degustimit të produkteve karakteristike të zonës”.
Në fshatin Qatrom, projekti po konkretizohet përmes krijimit të “Shtëpisë së Qershive”, një hapësirë e dedikuar prodhimit dhe promovimit të qershisë dhe nënprodukteve të saj.
Struktura përfshin ambiente për prodhim dhe degustim, hapësira për zhvillimin e workshop-eve, si dhe një dyqan për produktet lokale. Hapësirat e reja do të integrohen edhe në një itinerar turistik, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me procesin e përgatitjes së produkteve, t’i shijojnë dhe t’i blejnë ato.
Projekti “Rrugët e shijes” synon të krijojë mundësi të reja për banorët e zonës për zhvillimin e prodhimit vendas dhe rritjen e të ardhurave familjare, ndërsa për vizitorët ofron një mënyrë të re për të zbuluar fshatrat e Korçës përmes produkteve dhe traditave të tyre kulinare.
Burimi ATSH



















