
DPA çel ekspozitën me dokumente mbi historikun e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave paraqiti një ekspozitë me dokumente origjinale mbi historikun e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave paraqiti një ekspozitë me dokumente origjinale mbi historikun e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë.
Ekspozita solli për herë të parë, informacione lidhur me fillesat dhe ecurinë e qarqeve diplomatike, si edhe të marrëveshjeve ekonomike dhe kulturore mes dy vendeve.
Mes të pranishmëve në ceremoninë e inaugurimit të kësaj ekspozite ishin: zëvendësdrejtori i përgjithshëm i DPA-së, Endrit Musaj, zëvendësambasadori i Republikës Popullorë të Kinës në Shqipëri, Huang Xuehu, gazetari i filialit në shqip të “China Media Group”, Gëzim Podgorica, studiuesi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Gjon Boriçi, si edhe përfaqësuesit e Institutit Konfuci, Jin Qiao dhe Glendi Xhani.
“Dokumentet kanë një mënyrë të veçantë për të na afruar me historinë. Ato nuk na flasin vetëm me gjuhën e kujtimeve të vonshme, por me gjuhën e kohës kur janë krijuar. Në to gjenden, vendime, korrespondenca, takime, ide dhe marrëdhënie, që të marra së bashku na ndihmojnë të kuptojmë më mirë një periudhë të caktuar historike”, u shpreh Endrit Musaj.
Gëzim Podgorica vlerësoi përpjekjet e DPA-së për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe komunikimi me arkivën homologe të Kinës. “Mundësitë e komunikimit janë të gjera dhe sjellin një efekt pozitiv, sepse vendosin që trafiku i bashkëpunimit në urën tonë të miqësisë të rritet vazhdimisht. Nëse ne i nxisim dhe i gjejmë pikat e bashkëpunimit, jam i sigurt që puna dhe miqësia jonë do të rritet vazhdishmisht”, tha Podgorica.
Mes dokumenteve origjinale që u paraqitën në këtë ekspozitë bënin pjesë procesverbali i vitit 1949 përmes të cilit pala kineze kërkonte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, si edhe dokumenti lidhur me hapjen e ambasadës shqiptare në Kinë në vitin 1954.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Javës Kulturore Kineze dhe në vazhdën e takimit të drejtorit të përgjithshëm të DPA-së, Auron Rrokaj me ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue.
Burimi ATSH



















