
BSH: Besimi në ekonomi u rrit 1,8 pikë në gusht, kryeson ndërtimi
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit me 1,8 pikë në gusht, duke qëndruar 7,4 pikë mbi mesataren historike.

Besimi i bizneseve dhe konsumatorëve në ekonomi u përmirësua gjatë muajit gusht, me rritjen më të ndjeshme të optimizmit të regjistruar në sektorin e ndërtimit, ndërsa përmirësim pati edhe në tregti dhe shërbime.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit me 1,8 pikë në gusht, duke qëndruar 7,4 pikë mbi mesataren historike.
Ndërtimi regjistroi rritjen më të fortë, me 4,7 pikë përqindje, duke qëndruar rreth 10,3 pikë përqindje mbi mesataren historike. Përmirësimi u ndikua nga vlerësimet më pozitive të bizneseve për aktivitetin aktual ndërtues dhe kontratat porositëse.
Besimi në tregti u rrit me 2,1 pikë përqindje, duke qëndruar rreth 11 pikë përqindje mbi mesataren historike. Përmirësimi u mbështet nga vlerësime më optimiste për shitjet aktuale dhe pritjet për rritjen e punësimit.
Edhe shërbimet shënuan rritje të besimit me 1,8 pikë përqindje, duke qëndruar rreth 7 pikë përqindje mbi mesataren historike. Bizneset raportuan përmirësim si në nivelin e kërkesës, ashtu edhe në aktivitetin aktual.
Në të kundërt, besimi në industri u ul me 1,2 pikë përqindje krahasuar me korrikun, ndonëse mbeti 6,4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia u ndikua kryesisht nga vlerësimi më i dobët për kontratat porositëse.
Ndërkohë, besimi konsumator u rrit me 0,8 pikë përqindje në gusht, duke arritur 2,2 pikë përqindje mbi mesataren historike. Përmirësimi u mbështet kryesisht nga vlerësime më pozitive për blerjet e mëdha, aktuale dhe të pritshme.
Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë përfshin sektorët e industrisë, ndërtimit, shërbimeve, tregtisë dhe konsumatorët dhe përdoret për të vlerësuar perceptimet mbi zhvillimet ekonomike aktuale dhe pritjet për periudhën në vijim.
Burimi ATSH



















