
Koçiu nga Qyteti Studenti: Konviktet në shënjestër të dhunës, çdo akt do hetohet deri në fund
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka dënuar sot aktet vandale tek konviktet e Qytetit Studenti duke theksuar se “vendi ku të rinjtë duhet të ndihen të sigurtë, dje u kthye në shënjestër të dhunës”

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka dënuar sot aktet vandale tek konviktet e Qytetit Studenti duke theksuar se “vendi ku të rinjtë duhet të ndihen të sigurtë, dje u kthye në shënjestër të dhunës”.
Gjatë vizitës në Qytetin Studenti, Koçiu tha se “një hapësirë e dijes, e ëndrrave dhe e së ardhmes u shndërrua në skenë frike dhe vandalizmi”.
Koçiu u shpreh se ajo që po ndodh prej katër ditësh në Tiranë është e papranueshme.
“Institucione të djegura, biznese të shkatërruara, qytetarë të terrorizuar dhe punonjës policie të sulmuar. Kjo nuk është protesta e studentëve! Studentët nuk shkatërrojnë konviktet, nuk frikësojnë bashkëmoshatarët, nuk dhunojnë shkollat dhe vendin e tyre”, theksoi Koçiu.
Padiskutim, vijoi zv/kryeministrja se “e kemi thënë në krye të herës se ata meritojnë të dëgjohen dhe kërkesat e tyre të marrin përgjigje”.
“Shteti do të mbrojë qytetarët dhe çdo akt dhune do të hetohet deri në fund. Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga dhuna, maskat dhe frika! Kemi kapërcyer sprova shumë më të mëdha dhe do ta kapërcejmë edhe këtë. Shqipëria e ka zgjedhur të ardhmen e saj, zhvillimin dhe familjen europiane”, nënvizoi Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se “nga këtu dua të inkurajoj studentët që jetojnë në këto godina të jenë të qeta dhe dua po nga këtu të përcjell një falenderim për të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit dhe dua të kërkoj nga të gjithë, lutem bashkëpunoni, Policia e Shtetit është aty për të garantuar sigurinë dhe rendin publik”.
Marrë nga ATSH

















