
Protesta në disa qytete, Ziu: 152 të arrestuar, 120 efektivë të lënduar
Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, në një konferencë për mediet bëri të ditur se 152 persona janë arrestuar gjatë protestave të dhunshme të zhvilluara ditët e fundit në disa qytete të vendit. Gjithashtu ai bëri me dije se 120 efektivë kanë mbetur të lënduar nga aktet e dhunës.

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, në një konferencë për mediet bëri të ditur se 152 persona janë arrestuar gjatë protestave të dhunshme të zhvilluara ditët e fundit në disa qytete të vendit. Gjithashtu ai bëri me dije se 120 efektivë kanë mbetur të lënduar nga aktet e dhunës.
“Jam sot këtu për të bërë prezente për ju, dhe nëpërmjet jush, për qytetarët, veprimet hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Policisë, në Tiranë, Korçë, Shkodër, Kukës, Elbasan, Durrës dhe Vlorë, për identifikimin, arrestimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të shkatërrimit të pronës publike dhe private, dhunimit të punonjësve të Policisë dhe dëmtimit të institucioneve shtetërorë, gjatë protestave të këtyre ditëve”, tha Ziu.
Sipas tij, strukturat e Policisë së Shtetit në qendër dhe në qarqe, më bashkëpunim të ngushtë me prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, kanë ngritur grupe të posaçme hetimore për analizimin profesional dhe të paanshëm të çdo prove materiale dhe pamjeje filmike.
Deri në këto momente:
-në Tiranë, janë arrestuar 127 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 shtetas, për ushtrim të dhunës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe të bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike;
-në Durrës, janë arrestuar në flagrancë 23 shtetas dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë, për kundërshtim dhe goditje me sende të forta të punonjësve të Policisë, si dhe për shkatërrimin me sende të forta dhe me zjarr të institucioneve shtetërore, pronave publike dhe private;
-në Korçë, janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 23 shtetas, për kundërshtim dhe dhunë ndaj punonjësve të Policisë dhe për shkatërrimin, me sende të forta dhe me zjarr, të godinave të institucioneve shtetërore dhe të pronave publike;
-në Vlorë, janë proceduar në gjendje të lirë 20 shtetas, për pengimin e zhvillimit të procesit mësimor në disa shkolla të qytetit, kundërshtim të punonjësve të Policisë, goditje me sende të forta të fasadës së një institucioni, si dhe dëmtimin e pronës publike.
-në Shkodër, janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas, për kundërshtim dhe goditje me sende të forta të punonjësve të Policisë, si dhe për shkatërrimin me sende të forta dhe me zjarr të godinave të institucioneve shtetërore dhe të pronave publike dhe private. Gjatë protestës u plagos rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore. Autori i plagosjes është identifikuar, por për shkak të moshës nuk është arrestuar.
-në Elbasan, janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas, për dëmtimin e xhamave të godinës së një institucioni shtetëror, të sinjalistikës rrugore dhe të tabelave të reklamave, dhe pronës publike;
-në Kukës janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, për dëmtimin të sinjalistikës rrugore, tabelave dhe reklamave.
Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar mbi punonjësit e Policisë, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie.
Burimi ATSH


















