
Jaupaj: Për Zvërnecin është aktivizuar niveli më i lartë i analizës dhe kontrollit mjedisor
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj deklaroi sot se projekti i propozuar për zhvillim në zonën e Pishë Poro – Nartë do t’i nënshtrohet procedurës së vlerësimit të thelluar të ndikimit në mjedis, niveli më i lartë i kontrollit që parashikon legjislacioni shqiptar.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj deklaroi sot se projekti i propozuar për zhvillim në zonën e Pishë Poro – Nartë do t’i nënshtrohet procedurës së vlerësimit të thelluar të ndikimit në mjedis, niveli më i lartë i kontrollit që parashikon legjislacioni shqiptar.
Në interpelancën e kërkuar nga deputetët e Partisë Demokratike lidhur me investimin e propozuar në Zvërnec të Vlorës, Jaupaj tha se “interpelanca e sotme lidhet me një projekt që ka ngjallur debat publik dhe interes të gjerë për zonën e Pishë Poro – Nartë, është debat i shëndetshëm edhe i nevojshëm”.
“Por kur flasim për çështjet që lidhen për mjedisin, investimet dhe zhvillimin, duhet të mbështetemi te faktet, ligji dhe shkenca. E para njëherë, janë ngritur pretendime sikur procedura mjedisore është anashkaluar. Faktet tregojnë të kundërtën. Në 5 maj të vitit 2026 subjekti zhvillues ka aplikuar për procedurën e vlerësimit të ndikimit në mjedis, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe pas marrjes së mendimeve të institucioneve kompetente në 15 maj 2026 u vendos që duhet t’i nënshtrohet procedurës së vlerësimit të thelluar të ndikimit në mjedis”, theksoi Jaupaj.
Ministri Jaupaj informoi se “është aktivizuar niveli më i lartë i analizës dhe kontrollit mjedisor që parashikon legjislacioni shqiptar. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se projekti që do duhet të paraqitet do t’i nënshtrohet një analize të plotë shkencore të ndikimeve të mundshme mbi mjedisin, mbi biodiversitetin, mbi habitatet dhe speciet e mbrojtura, mbi ujërat, mbi tokën, mbi klimën, mbi peizazhin dhe mbi komunitetin”.
“Shteti shqiptar ka vendosur që vendimmarrja mjedisore për projektin që do të paraqitet të mbështetet mbi evidencën shkencore, ekspertizë profesionale dhe standardet më të larta të legjislacionit mjedisor shqiptar dhe europian. Është pikërisht garancia që mbrojtja e natyrës nuk duhet në fakt të bazohet mbi deklarata politike, duhet të bazohet mbi fakte, mbi studime dhe vlerësime profesionale”, nënvizoi Jaupaj.
Më tej Jaupaj theksoi se “një pjesë e debatit është përqendruar te statusi i zonës së mbrojtur, prandaj është e rëndësishme të sqarojmë se çfarë është realisht zona e mbrojtur Pishë Poro – Nartë”.
“Zona është shpallur peizazh i mbrojtur, kategoria 5. Kjo kategori nuk është rezervë strikte natyrore, nuk është kategori ku ndalohet çdo aktivitet njerëzor. Përkundrazi, filozofia e kësaj kategorie bazohet mbi bashkëjetesën e natyrës mbi aktivitetin ekonomik, social dhe turistik. Kjo është pikërisht arsyeja pse ligji shqiptar, në nenin 20 për zonat e mbrojtura, parashikon se në peizazhet e mbrojtura mund të ekzistojnë qendra të banimit, aktivitete turistike, bujqësore, peshkim dhe forma të tjera të përdorimit të territorit”, nënvizoi Jaupaj.
Sipas tij, i njëjti nen përcakton qartë se veprimtaritë si ndërtime dhe zhvillime infrastrukturore mund të realizohen kur subjekti është pajisur me leje përkatëse nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
“Pra, ligji shqiptar nuk vendos ndalim absolut për zhvillimet turistike në kategorinë pesë. Përkundrazi, ai vendos kushte, procedura dhe garanci për mënyrën se si ato do duhet të realizohen. Edhe vetë VKM-ja për shpalljen e zonës që përcakton se mbrojtja e peizazhit Pishë Poro – Nartë ka si funksion ruajtjen e biodiversitetit në harmoni me zhvillimin e veprimtarive ekonomike, turistike dhe infrastrukturore. Është vetë arkitektura ligjore mbi të cilën funksionon sistemi shqiptar i zonave të mbrojtura”, tha Jaupaj.
Më tej, Jaupaj u ndal tek pretendimet se zhvillime të tilla bien ndesh me standardet e Bashkimit Europian.
“Edhe kjo nuk është e vërtetë. Bashkimi Europian nuk i përcakton kategoritë e Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Ajo që kërkon Bashkimi Europian është respektimi i direktivës së habitateve dhe direktivës së shpendëve. Dhe këto direktiva nuk vendosin ndalim absolut të zhvillimit, përkundrazi kërkojnë që çdo projekt të vlerësohet në bazë të ndikimit konkret që mund të ketë mbi habitate dhe mbi speciet e mbrojtura. Vetë direktiva e habitateve kërkon balancimin e mbrojtjes së natyrës me nevojat ekonomike, sociale dhe rajonale. Nenet e saj kërkojnë vlerësim të përshtatshëm të ndikimit dhe jo ndalim automatik. Kjo është pikërisht edhe logjika që ndjek legjislacioni shqiptar”, theksoi ministri.
Prandaj, vijoi Jaupaj, pyetja nuk është nëse mund të ketë apo jo zhvillim.
“Pyetja është nëse zhvillimi duhet të respektojë ligjin, kriteret mjedisore dhe standardet europiane dhe për këtë arsye Ministria e Mjedisit ka kërkuar studime të thelluara, monitorim të vazhdueshëm dhe vlerësim rigoroz të ndikimit mjedisor. Detyra jonë është të garantojmë zhvillim të qëndrueshëm, një zhvillim që respekton ligjin, një zhvillim që respekton biodiversitetin, një zhvillim që respekton komunitetin lokal, një zhvillim që sjell punësim, ekonomi dhe mirëqenie dhe një zhvillim që i nënshtrohet kontrollit të plotë institucional. Ky është parimi që ka udhëhequr veprimet tona deri më sot dhe ky do vazhdojë të jetë parimi që do të udhëheqë çdo vendimmarrje të Ministrisë së Mjedisit në të ardhmen”, tha Jaupaj.
Marrë nga ATSH



















