
Gjuhët e huaja pjesë e olimpiadave kombëtare
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ftoi nxënësit e gjimnazeve me talent, prirje dhe rezultate të larta në gjuhët e huaja që të bëhen pjesë e kësaj gare të re kombëtare.

Faza e parë e olimpiadave kombëtare pritet të nisë së shpejti, ndërsa këtë vit nxënësit e arsimit të mesëm të lartë do të kenë mundësi të garojnë edhe në gjuhët e huaja.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ftoi nxënësit e gjimnazeve me talent, prirje dhe rezultate të larta në gjuhët e huaja që të bëhen pjesë e kësaj gare të re kombëtare.
“Nisur nga ky vit do të mund të garojnë për dijet dhe pasionin e tyre në olimpiadën kombëtare të gjuhëve të huaja, një mundësi e re që motivon më shumë nxënës të kultivojnë aftësitë e tyre gjuhësore dhe të eksplorojnë gjuhët e huaja si ura të lidhjes me qytetërimet, kulturat dhe botën”, tha Kumbaro.
Nga ky vit shkollor u shtohen olimpiadave kombëtare në arsimin e mesëm të lartë
konkursi në gjuhët e huaja: anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.
Në vijim të turit të takimeve me strukturat e arsimit parauniversitar në nisje të vitit shkollor 2026-2027, ministrja Kumbaro bëri të ditur edhe një sërë aktivitetesh të tjera që do të zhvillohen gjatë vitit.
“Kemi shumë aktivitete përpara, olimpiadat, mes të cilave edhe një olimpiadë e re që është ajo e gjuhëve të huaja. Kemi festivalin e shkencës në gjimnazet që kalon në edicionin e dytë, do të rikonceptojmë konkursin e gjuhës shqipe të klasave të nënta dhe do ta quajmë “Gjurma e shqipes” për ta bërë më kulturor, si dhe do të nisim një aksion të ri për leximin”, tha Kumbaro.
Olimpiadat dhe konkurset kombëtare synojnë të nxisin angazhimin e nxënësve në fusha të ndryshme të dijes, duke krijuar më shumë hapësira për evidentimin dhe zhvillimin e talenteve të tyre.
Burimi ATSH



















