
Koçiu: Drejt një modeli të integruar statistikor sipas standardeve të BE-së
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu bëri të ditur sot se po punohet për modernizimin e sistemit statistikor, duke kaluar nga informacioni i fragmentuar drejt një modeli të integruar, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu bëri të ditur sot se po punohet për modernizimin e sistemit statistikor, duke kaluar nga informacioni i fragmentuar drejt një modeli të integruar, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Koçiu mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) në “Europe House”, ku u diskutua mbi zhvillimet dhe perspektivën e statistikave të popullsisë, nga Cens 2023 drejt sistemit të ardhshëm të të dhënave të popullsisë, si dhe mbi sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e një sistemi modern statistikor.
“Përtej statistikave, sot me Eurostat, INSTAT, Komisionin Europian dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare ndamë vizionin për një Shqipëri që njeh me saktësi ritmin e ndryshimeve të saj dhe ndërton mbi të dhëna të besueshme politika publike që u përgjigjen më mirë nevojave dhe zhvillimeve të shoqërisë”, u shpreh Koçiu.
Koçiu theksoi se po punohet për të dhëna më të sakta, institucione më të koordinuara dhe vendimmarrje më e mirë për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Aktiviteti u organizua me rastin e vizitës zyrtare në Shqipëri të Drejtores së Përgjithshme të Eurostat, Mariana Kotzeva. Kjo vizitë, e para e Drejtores së Përgjithshme të Eurostat në Shqipëri, zhvillohet në një moment të rëndësishëm të procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe synon të riafirmojë angazhimin për forcimin e sistemit statistikor kombëtar, në përputhje me standardet evropiane, si dhe të vlerësojë bashkëpunimin ndërmjet INSTAT-it dhe Eurostat-it.
Burimi ATSH


















