
Gonxhja: Tradita e bukës bashkon Shqipërinë dhe Kosovën, fëmijët njihen me gatimet e përbashkëta
Tradita e përgatitjes së bukës dhe gatimet e përbashkëta shqiptare u përcollën te brezat e rinj përmes një aktiviteti kulturor të zhvilluar në hapësirën HangArt, në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare Shqipëri–Kosovë 2026.

Tradita e përgatitjes së bukës dhe gatimet e përbashkëta shqiptare u përcollën te brezat e rinj përmes një aktiviteti kulturor të zhvilluar në hapësirën HangArt, në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare Shqipëri–Kosovë 2026.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se aktiviteti synoi njohjen e fëmijëve me traditën e bukëbërjes dhe gatimet tradicionale që bashkojnë shqiptarët në të dy anët e kufirit.
“Në shi e në diell, shqiptarët ndër treva vazhduan ta gatisnin bukën”, u shpreh Gonxhja, duke theksuar se fëmijët patën mundësinë të njiheshin me traditën e bukës së Norës dhe të provonin vetë pjekjen e flisë në saç. Aktiviteti u shoqërua me një “Tavolinë të përbashkët”, ku u prezantuan produkte dhe gatime tradicionale nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe me një kolazh muzikor mbarëkombëtar nga kori i fëmijëve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija”.
Në vijim u zhvillua edhe një panel diskutimi mbi dimensionet e kulturës së bukës, prejardhjen dhe përcjelljen e kësaj tradite ndër breza.
Java Kulturore Kombëtare Shqipëri–Kosovë synon të promovojë trashëgiminë e përbashkët kulturore dhe të forcojë lidhjet mes komuniteteve përmes aktiviteteve artistike, edukative dhe tradicionale.
Burimi ATSH


















