
Marrëveshje me Italinë: Program pilot në Mjekësinë Nukleare dhe Radiologji, Onkologjia Kombëtare nis në janar 2027
Shqipëria dhe Italia thellojnë bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, me fokus modernizimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) dhe ngritjen e një modeli të integruar të kujdesit onkologjik.

Shqipëria dhe Italia thellojnë bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, me fokus modernizimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) dhe ngritjen e një modeli të integruar të kujdesit onkologjik.
Gjatë vizitës në Milano, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi me Policlinico di Milano, ndërsa dakordësoi me drejtuesit e Institutit Kombëtar të Tumoreve planin për nisjen e funksionimit të Institutit Kombëtar të Onkologjisë në Shqipëri, në janar 2027.
Memorandumi me institucionin italian parashikon transferimin e ekspertizës, zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve klinike, kërkimin shkencor dhe zbatimin e praktikave bashkëkohore në organizimin e menaxhimin spitalor.
“Investimi te profesionistët tanë, transferimi i ekspertizës, zhvillimi i kapaciteteve teknologjike, kërkimi shkencor dhe adoptimi i standardeve bashkëkohore janë pjesë e një vizioni që synon të transformojë Qendrën Spitalore Universitare në një qendër universitare moderne, me kapacitete më të avancuara dhe shërbime më cilësore për pacientët”, u shpreh Spahiu.
Një nga komponentët kryesorë të marrëveshjes është një program pilot 12-mujor, ku si fusha prioritare janë përcaktuar Mjekësia Nukleare dhe Radiologjia, me fokus në PET/CT, imazherinë diagnostike, radiologjinë intervenuese dhe standardizimin e protokolleve klinike.
Bashkëpunimi përfshin gjithashtu trajnime dhe mentorim të specializuar për profesionistët shëndetësorë, konsulta multidisiplinare për rastet komplekse, forcimin e sigurisë së pacientit dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore. Në përfundim të programit pilot do të vlerësohen rezultatet, për të përcaktuar mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të tjera.
Gjatë takimit me drejtuesit e Institutit Kombëtar të Tumoreve në Milano, ministrja Spahiu diskutoi për organizimin dhe funksionimin e Institutit Kombëtar të Onkologjisë në Shqipëri, i cili synon të integrojë diagnostikimin, trajtimin, kërkimin shkencor dhe koordinimin e kujdesit onkologjik në nivel kombëtar.
“Ne synojmë një sistem ku pacienti të mos përballet me shërbime të fragmentuara, por të ketë një rrugëtim të koordinuar, me cilësi, siguri dhe standarde bashkëkohore. Çdo bashkëpunim ndërkombëtar, investim dhe reformë në shëndetësi duhet të përkthehet në shërbime më të mira dhe më shumë kujdes për qytetarët”, theksoi ministrja.
Transferimi i ekspertizës italiane dhe zhvillimi i kapaciteteve brenda sistemit shëndetësor shqiptar synojnë të përmirësojnë diagnostikimin, të zgjerojnë mundësitë e trajtimit dhe të garantojnë një kujdes më të sigurt e të koordinuar për pacientët.
Burimi ATSH


















