
Gonxhja: Bashkëpunim rajonal për një destinacion të përbashkët turistik në Ballkanin Perëndimor
Tirana mirëpriti sot Ministerialin e Turizmit të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes, ku përfaqësues të vendeve të rajonit, Komisionit Evropian, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe CEFTA-s diskutuan për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e turizmit.

Tirana mirëpriti sot Ministerialin e Turizmit të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes, ku përfaqësues të vendeve të rajonit, Komisionit Evropian, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe CEFTA-s diskutuan për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e turizmit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se në fokus të takimit ishin tre prioritete të përbashkëta: promovimi i Ballkanit Perëndimor si një destinacion i përbashkët turistik, lehtësimi i lëvizjes së turistëve dhe zhvillimi i itinerareve rajonale, si dhe menaxhimi i qëndrueshëm i destinacioneve përmes digjitalizimit dhe rritjes së aftësive profesionale.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gonxhja theksoi se vendet pjesëmarrëse diskutuan për zhvillimin e produkteve dhe fushatave të përbashkëta promovuese, krijimin e itinerareve turistike ndërkufitare dhe eliminimin e pengesave për operatorët turistikë.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm ishte menaxhimi i qëndrueshëm i destinacioneve, me fokus te përdorimi i të dhënave, digjitalizimi dhe zhvillimi i aftësive profesionale në sektorin e turizmit.
Takimi u përmbyll me miratimin e Konkluzioneve të Kryesisë dhe të Udhërrëfyesit për bashkëpunimin rajonal në turizëm, dokumente që përcaktojnë drejtimet dhe hapat konkretë për vijimin e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas ministrit Gonxhja, synimi është ndërtimi i një rajoni më të ndërlidhur dhe konkurrues, më tërheqës për turistët ndërkombëtarë, si dhe avancimi i integrimit në tregun evropian të turizmit.
“Më shumë bashkëpunim, më shumë mundësi dhe një vizion i përbashkët evropian për turizmin në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Gonxhja.
Burimi ATSH


















