
Rama: Skemë e re për pensionet, rritje të përvitshme dhe fond individual shtesë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se është vendosur një skemë e rritjes së përvitshme të pensioneve dhe se po përgatitet edhe një kolonë e re mbështetëse për sistemin e pensioneve.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se është vendosur një skemë e rritjes së përvitshme të pensioneve dhe se po përgatitet edhe një kolonë e re mbështetëse për sistemin e pensioneve.
Në episodin e radhës të podkastit “FLASIM – Mes valëve të detit dhe fushës së blertë”, Rama u shpreh se skema aktuale e rritjes së pensioneve tashmë është e stabilizuar dhe do të vijojë me ritme të përshkallëzuara në vitet në vijim.
“Ndërkohë që kemi stabilizuar dhe kemi vënë në lëvizje një skemë rritjeje të përvitshme të pensioneve, çka është rritur në këtë janar do të dyfishohet në janarin e ardhshëm, do të trefishohet në janarin e 2028-ës, do të katërfishohet në janarin e 2029-ës dhe do të pesëfishohet në janarin e 2030-ës”, u shpreh Kryeministri.
Ai theksoi gjithashtu se po punohet për krijimin e një kolone tjetër të sistemit të pensioneve, e cila do të funksionojë në mënyrë komplementare me sistemin aktual, duke ofruar një mundësi të dytë mbështetjeje për të ardhmen.
Sipas Ramës, ideja e kësaj skeme është që çdo punonjës që zgjedh të kontribuojë me një shumë të vogël nga paga e tij, për shembull 1 euro në muaj, të ketë një kontribut të barabartë nga pala tjetër, shteti ose punëdhënësi në sektorin privat.
“Po përgatisim edhe një kolonë tjetër të skemës së pensioneve, e cila i bashkëngjitet në mënyrë komplementare sistemit aktual, kolonës qendrore të pensioneve, duke krijuar një hapësirë të re dhe një mundësi të dytë mbështetjeje për të ardhmen. Ideja është shumë e thjeshtë: çdo punonjës që zgjedh të kontribuojë me një shumë të vogël nga paga e tij, për shembull 1 euro në muaj, do të ketë një kontribut të barabartë nga pala tjetër, shteti ose punëdhënësi në sektorin privat”, tha Rama.
Ai sqaroi se në këtë mënyrë kontributi dyfishohet dhe krijohet gradualisht një fond individual që i shtohet pensionit përfitues nga skema ekzistuese.
“Kjo nuk është absolutisht diçka “alla shqiptare”, sepse ne nuk bëjmë të tilla; po mësojmë nga përvojat më të mira dhe përpiqemi të sjellim këtu modele të sprovuara. Pra, është një model i mirënjohur që krijon mundësinë e krijimit gradual të një fondi pensionesh, për më shumë siguri për individin dhe për një lidhje më të qëndrueshme mes punonjësit dhe punëdhënësit, shtetit apo privatit. Një mekanizëm sigurie financiare për moshën e tretë dhe, e përsëris, një mekanizëm komplementar që nuk e prek, por e forcon mekanizmin aktual”, deklaroi Rama.
Burimi ATSH



















