
Salla: Skema 2026 rrit mbështetjen për fermerët, 10% kompensim për inputet
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Financave Petrit Malaj dhe drejtuesen politike të qarkut Fier, Belinda Balluku, zhvilluan një takim me fermerë në Krutje të Lushnjës.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Financave Petrit Malaj dhe drejtuesen politike të qarkut Fier, Belinda Balluku, zhvilluan një takim me fermerë në Krutje të Lushnjës.
Takimi u fokusua në rritjen e investimeve në bujqësi, lehtësitë e reja fiskale dhe risitë e skemës së re kombëtare, me synim përmbushjen e standardeve të prodhimit për tregun e Bashkimit Europian.
Garancia Sovrane për vitin 2026, në vlerën 30 milionë euro, u prezantua si një instrument financiar që synon të lehtësojë aksesin e fermerëve në kredi. Përmes saj, qeveria vepron si garant pranë bankave të nivelit të dytë, duke mundësuar kredi të buta me interes rreth 2% dhe mbulim kolaterali deri në 70%.
Gjatë fjalës së tij, Salla theksoi rëndësinë e zonës së Lushnjës si një nga qendrat kryesore të prodhimit bujqësor në vend.
“Lushnja është zemra e bujqësisë, me sipërfaqe të mëdha të mbjella dhe me një rritje të vazhdueshme vit pas viti, si në sera, ashtu edhe në kultura të tjera bujqësore,” u shpreh ai.
Ai u ndal te masat mbështetëse për fermerët, duke theksuar rolin e tyre në rritjen e prodhimit dhe përfshirjen e të rinjve në sektor.
“Të rinjtë mbështeten me deri në 10 mijë euro grante për investime në bujqësi, ndërsa mbrojtja biologjike financohet deri në 70%. Synimi ynë është që deri në vitin 2027 të arrijmë në 40 – 50% mbrojtje biologjike, nga rreth 10% që është sot”, deklaroi ministri.
Në vijim, Salla u ndal te ndryshimet në mënyrën e mbështetjes financiare dhe rëndësia e formalizimit të sektorit.
“Nëse deri vitin e kaluar kemi pasur një masë, e cila deri në vitin 2025 ishte 300 mijë lekë të vjetra për sipërfaqe të mbjella prej 1.5 hektarësh, siç e kemi aplikuar edhe në shembuj të tjerë për naftën, këtë vit kjo arrihet vetëm përmes faturimit që ne kryejmë. Bëhet fjalë për 10% të faturimit që duhet të paraqitet pranë tatimeve çdo gjashtë muaj, për të përfituar këstet, të cilat do të ishin shumë më të vlefshme nëse mblidhen dhe fermerët janë të formalizuar.
Kjo është një etapë e re për bujqësinë shqiptare. Sot prodhojmë shumë dhe duhet të formalizohemi. Formalizimi krijon një zinxhir të ri ekonomik, ku përmes faturimit fermerët përfitojnë më shumë. Nga një mbështetje prej 300 mijë lekësh, përmes faturimit mund të arrihet deri në 7 mijë – 8 milionë lekë të vjetra, çka tregon qartë rëndësinë e këtij procesi”, theksoi ai.
Ministri shtoi se këto masa janë shtesë ndaj fondit ekzistues të mbështetjes dhe synojnë uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë.
“Kjo nuk është pjesë e fondit prej 52 milionë eurosh, por një buxhet i shtuar që vjen si një mbështetje konkrete për fermerët, për të ulur kostot dhe për të rritur prodhimin”, u shpreh Salla.
Ai vuri theksin edhe te rëndësia e organizimit të fermerëve në struktura bashkëpunimi.
“Nëse prodhojmë vetëm dhe shesim vetëm, humbim 25 – 30% të vlerës. Nëse bashkohemi, krijojmë deri në 30% më shumë ekonomi. Kjo është rruga për të kaluar në një fazë të re zhvillimi”, deklaroi ministri.
Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se modeli i Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) do të shtrihet në të gjithë vendin, duke përfshirë edhe krijimin e strukturave mbështetëse për zinxhirin agroushqimor.
“Do ta ndërtojmë këtë model në çdo bashki, duke krijuar një ekonomi më të fortë bashkëpunimi mes fermerëve dhe përpunuesve”, tha ai.
Ministri Salla u ndal gjithashtu te investimet në sigurinë ushqimore, duke theksuar ndërtimin e laboratorëve si një element kyç për standardet e prodhimit.
“Do të ndërtojmë laboratorë për të garantuar një zinxhir të sigurt ushqimor, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe kërkesat e tregut,” theksoi ai.
Në përfundim, ai nënvizoi se bujqësia shqiptare po hyn në një fazë të re zhvillimi, të orientuar drejt cilësisë, formalizimit dhe integrimit në tregun europian.
“Duhet të punojmë së bashku për të rritur cilësinë, për të forcuar sigurinë ushqimore dhe për të konkurruar në tregun e madh të Bashkimit Europian”, përfundoi Salla.
Marrë nga ATSH



















