
Rama: Mbështetje deri në 2 milionë euro për çdo sipërmarrës që do të dyfishojë ndërmarrjen
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me fermerët në Krutje të Lushnjës, ku sqaroi lehtësitë fiskale dhe risitë e skemës së re kombëtare për mbështetjen e këtij sektori.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me fermerët në Krutje të Lushnjës, ku sqaroi lehtësitë fiskale dhe risitë e skemës së re kombëtare për mbështetjen e këtij sektori.
Rama theksoi se qeveria mbështet rritjen e investimeve në bujqësi, dhe stimulon ata që duan të rriten dhe të forcohen duke u bashkuar, si dhe ata që prodhojnë e përpunojnë me plane dhe projekte konkrete.
“Ajo që kemi bërë ne është shumë herë më shumë se sa të japim naftë falas. Ndërkohë me atë skemë jo të gjithë përfituesit ishin ata që e meritonin dhe e përdornin naftën për punë bujqësie, pasi në shumë raste pronësia e tokës nuk është e atyre që e punojnë”, tha Rama.
Kryeministri sqaroi se BE nuk e ka skemën e naftës falas dhe ka kritikuar qeverinë për këtë skemë.
“E kemi justifikuar me idenë e një faze të caktuar. Tani kemi ardhur në një fazë tjetër, pra nuk do japim më një mbështetje që në bazë të sasive arrinte në 300 mijë lekë të vjetra, por do japim një mbështetje që arrin në 7 apo 8 mijë euro, në rast se thjesht dhe vetëm ai që shet prodhimin e vetë paraqet faturën direkt të fermerit. Dhe merr 10% të TVSH nga ajo faturë mbrapsht, para në dorë”, sqaroi Rama.
Nga ana tjetër, kryeministri sqaroi se qeveria ka një ofertë të re për bujqësinë, përveç mbështetjes së skemave që kanë në fokus bashkimin e fermerëve.
“Kemi një tjetër program shumë domethënës që do ta lansojmë në fund të muajit prill së bashku me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë që prek të gjithë sektorët prodhues”, shtoi Rama.
Çdo shqiptar që prodhon, sipas tij, mund ta dyfishojë ndërmarrjen falë programit të qeverisë që jep mbështetje deri në 2 milionë euro, jo me interesa komerciale.
“Qeveria vendos mekanizmin e garancisë sovrane dhe shuma e përfituar mund të jetë deri në 2 milionë euro”, tha Rama.
Kjo sipas tij, është një mundësi e re që e ka sjellë rritja ekonomike dhe stabiliteti ynë financiar.
Burimi ATSH


















