
Rama: Skema Kombëtare e Bujqësisë rrit ndjeshëm mbështetjen për fermerët
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Skema Kombëtare e Bujqësisë për vitin 2026 rrit ndjeshëm mbështetjen për fermerët.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Skema Kombëtare e Bujqësisë për vitin 2026 rrit ndjeshëm mbështetjen për fermerët.
Gjatë podkastit “Flasim”, kryeministri informoi mbi risitë e kësaj skeme, ku sipas tij, “për herë të parë përfshihen forma mbështetjeje të cilat nuk kanë qenë të përdorura deri më sot”.
Rama theksoi se skema është ndërtuar mbi konsultime intensive të drejtpërdrejta në të gjitha qarqet me fermerët dhe është orientuar prej tyre.
“Për këtë arsye, skema rrit ndjeshëm mbështetjen për fermerët, jo thjesht në aspektin e volumit financiar, por edhe në aspektin e lehtësimit të kushteve për ta përfituar atë që çdo fermeri i takon nga skema dhe, njëkohësisht, duke financuar në ato drejtime prioritare që garantojnë më shumë produktivitet dhe fuqizim më të mirë të zinxhirit të vlerës”, theksoi ai.
Një risi këtë vit, sipas kryeministrit Rama, “është nxitja e praktikave të qëndrueshme në bujqësi, përmes mbështetjes së metodave biologjike dhe afrimit me standardet europiane”.
Po ashtu, Rama tha se një fokus i veçantë i skemës janë edhe fermerët e rinj, për të cilët është parashikuar një fond i konsiderueshëm që mbështet investimet e tyre.
“Nga ana tjetër, skema në tërësi forcon prodhimin vendas, sepse ky është një synim parësor, rrit konkurrueshmërinë duke krijuar më shumë mundësi dhe akses dhe, sigurisht, inkurajon përafrimin me standardet europiane”, theksoi ai.
Marrë nga ATSH



















