
Gonzato: Roli i medias së pavarur, kyç në luftën kundër dezinformimit
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh sot se lufta kundër dezinformimit ka të bëjë me promovimin e mediave të pavarura dhe profesionale, si edhe forcimin e lirisë së shprehjes.

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh sot se lufta kundër dezinformimit ka të bëjë me promovimin e mediave të pavarura dhe profesionale, si edhe forcimin e lirisë së shprehjes.
Kjo, sipas ambasadorit Gonzato, është një shtyllë kyçe e parimeve të BE-së për shtetin e së drejtës dhe një tregues i rëndësishëm i gatishmërisë së një vendi për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.
“Dezinformimi ndikon në debatin publik, e polarizon atë, mbjell dyshime dhe minon demokracitë tona. Gënjeshtra përhapet shpejt, përgënjeshtrimi do punë. Dje ishte Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve dhe ne e kaluam së bashku me ata që punojnë çdo ditë për të sjellë informacion të saktë, të verifikuar dhe transparent për shqiptarët”, u shpreh Gonzato.
Aktiviteti, i organizuar nga “Faktoje”, Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe GIZ Albania, mblodhi përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së anëtarë të Parlamentit të Shqipërisë, ekspertë të medias dhe verifikues lokalë të fakteve.
Ambasadori Gonzato vlerësoi se kjo ishte një mundësi shumë e mirë për të rikonfirmuar angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e qëndrueshmërisë së shoqërisë ndaj dezinformimit dhe formave të ndryshme të ndikimit keqdashës.
Burimi ATSH



















