
BSH: Ekonomia në rritje, por rreziqe nga tensionet gjeopolitike
Drejtori i Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli deklaroi se ekonomia shqiptare ka vijuar trend pozitiv zhvillimi deri në tremujorin e parë të vitit 2026, e mbështetur nga rritja ekonomike, tregu i punës dhe stabiliteti i inflacionit.

Drejtori i Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli deklaroi se ekonomia shqiptare ka vijuar trend pozitiv zhvillimi deri në tremujorin e parë të vitit 2026, e mbështetur nga rritja ekonomike, tregu i punës dhe stabiliteti i inflacionit.
Gjatë prezantimit të raportit të politikës monetare, ai bëri të ditur se rritja ekonomike për vitin 2025 arriti në 3,8%, ndërsa tregu i punës shënoi përmirësim me rritje të punësimit me 5,6% dhe rritje mesatare të pagave në sektorin privat me 8,4%.
Sipas tij, inflacioni ka mbetur në nivele të qëndrueshme, me një mesatare prej 2,2% për vitin 2025 dhe 2,4% në dy muajt e parë të vitit 2026, duke qëndruar pranë objektivit të Banka e Shqipërisë. Ndërkohë, deficiti buxhetor ka zbritur në minimum historik prej 0,7% dhe borxhi publik ka shënuar rënie.
Themeli theksoi se këta tregues janë mbështetur nga një sistem financiar i qëndrueshëm, me norma interesi në rënie, që kanë nxitur kreditimin, konsumin dhe investimet. Po ashtu, të ardhurat nga turizmi gjatë vitit 2025 arritën në 5,7 miliardë euro, me rritje 14,5%.
Megjithatë, ai paralajmëroi se zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare dhe konflikti në Lindjen e Mesme paraqesin rreziqe për ekonominë shqiptare, duke u shndërruar potencialisht në një goditje negative të ofertës.
Sipas raportit të politikës monetare, në varësi të kohëzgjatjes dhe intensitetit të këtyre zhvillimeve, mund të ketë rritje të inflacionit dhe ngadalësim të rritjes ekonomike, në nivele të ngjashme me pasojat e konfliktit në Ukrainë në vitin 2022.
Raporti evidenton se inflacioni ka luhatur në nivele të ulëta muajt e fundit, por rritja e çmimeve të ushqimeve, qirave dhe naftës mund të sjellë presione të reja inflacioniste.
Banka e Shqipërisë thekson se do të monitorojë nga afër zhvillimet dhe është e gatshme të ndërhyjë me instrumente të politikës monetare, për të garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.
Burimi ATSH



















